S16_0685 S16_0700 S16_0847

25 maj 2017

Me ftesë të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Hirësisë së tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryetarja e Komitetit Shtetëror për Kultet, znj. Loreta Aliko, e shoqëruar nga anëtari e këtij Komiteti, z. Lirim Neziraj, mori pjesë në aktivitetin “Dita e kulturës bektashiane”, të mbajtur në Paris.

Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti të organizuar nga Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, që përkonte edhe me ditën e lindjes së poetit kombëtar bektashian, Naim Frashëri, ishte transmetimi i vlerave kulturore të këtij besimi që përshkohet nga ndjenja paqedashëse.

Me këtë rast, Kryetarja e Komitetit Shtetëror për Kultet, znj. Loreta Aliko mbajti një fjalë përshëndetëse, në të cilën nxori në pah karakteristikat thelbësore të bashkëjetesës e harmonisë fetare shqiptare dhe rolin e rëndësishëm të shtetit në ruajtjen dhe forcimin e tyre.

Në këtë aktivitet të rëndësishëm të shpalosjes së vlerave të kulturës së këtij besimi, morën pjesë dhe përshëndetën: Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Francë, z. Dritan Tola, ish-ministri i jashtëm, politikani dhe shkrimtari Besnik Mustafaj, besimtarë bektashinj, lektorë, e të ftuar të tjerë.