Në Republikën e Shqipërisë, raporti ndërmjet Shtetit dhe Fesë rregullohet me legjislacionin në fuqi, i cili saktëson laicitetin e shtetit shqiptar, por njëkohësisht të drejtën e individit për ushtrimin e besimit dhe të lirisë së tij të ndërgjegjes.
Në Kushtetutën e Shqipërisë përkufizohen të drejtat e besimit fetar, garantohet bashkëjetesa fetare dhe liria e ushtrimit të besimit fetar, ku çdo qytetar ka të drejtë të zgjedhë lirisht besimin e tij. Gjithashtu, në këtë ligj themeltar, në nenin10 të tij, marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe bashkësive fetare janë rregulluar mbi bazën e marrëveshjeve të lidhura ndërmjet përfaqësuesve të tyre dhe Këshillit të Ministrave, të cilat janë ratifikuar nëpërmjet miratimit të ligjeve përkatëse në Kuvend. Bashkësitë fetare, që kanë nënshkruar këto marrëveshje me shtetin, kanë personalitetin e tyre juridik dhe autonomi organizative dhe drejtuese. Ato janë: Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike në Shqipëri, Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë.
Aktualisht, në vendin tonë ushtrojnë aktivitetin e tyre fetar edhe shumë shoqata të ndryshme vendase e të huaja, të cilat funksionojnë në bazë të ligjit nr. 8788, datë 7.5.2001 “Për organizatat jofitimprurëse”, i ndryshuar.