Shqipëria është vendi ku harmonia fetare është pasaporta më e mirë e prezantimit të vendit tonë në arenën ndërkombëtare. Ajo është një model i përkryer i bashkëjetesës fetare dhe përbën një vlerë të shtuar për familjen europiane, të cilën çdo vend do ta kishte zili.

Komiteti Shtetëror për Kultet falenderon të gjitha bashkësitë fetare dhe i mbështet ato në këtë frymë bashkëpunimi. Pavarësisht besimeve të ndryshme, shqiptarët kanë ditur të bashkëjetojnë në shekuj, prandaj këtë traditë të mirë duhet jo vetëm ta ruajmë, por ta forcojmë edhe më tej.

Çdo gjuhë provokuese që cënon këtë harmoni dhe atakon komunitetet në përgjithësi apo në veçanti, duke u nisur nga Komuniteti  Mysliman, Ortodoks, Katolik, Bektashi dhe Ungjillor, është dalje nga tradita historike e bashkëjetesës fetare.

Komiteti Shtetëror për Kultet, përkrah bashkësitë fetare në përpjekjet e tyre për forcimin dhe konsolidimin e kësaj bashkëjetese, si vlera më e mire, e cila jo vetëm që na bashkon, por ka luajtur një rol të rëndësishëm për njohjen e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare si vendi i bashkëjetesës dhe harmonisë.

 Për Komitetin Shtetëror të Kulteve

Kryetari

Ilir Hoxholli

15.09.2014