Në një kohë që po shkojmë drejt harresës së vlerave të familjes, unë ju drejtohem ju, si barinj shpirtëror, që të bëjmë gjithçka për të risjellë në vëmendje vlerat dhe modelin e përkryer që kemi brenda nesh”- Ilir Hoxholli

 

Tiranë, 24 maj 2014 – Komiteti Shtetëror për kultet, në bashkëpunim me Bashkësitë Fetare tradicionale në vend, organizuan simpoziumin me temë: “Roli i komuniteteve fetare në forcimin e vlerave të familjes, si bërthamë bazë e shoqërisë”.

Simpoziumi u përqendrua në modelin e familjes si vlerë e veçantë e popullit shqiptar, si dhe rëndësinë që i japin asaj fetë, të cilat e konsiderojnë si kala mbrojtëse për ruajtjen e vlerave të moralit njerëzor.

Përshëndetjen në emër të organizatorëve e mbajti Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, z. Ilir Hoxholli, i cili pasi falënderoi të pranishmit në këtë simpozium, vlerësoi lart kontributin e bashkësive fetare në ruajtjen dhe konsolidimin e vlerave të familjes.

“Ne duhet të gjithë së bashku, të bëjmë gjithçka që shoqëria mbarë, të jetë e njohur për ato të mira që na vijnë përmes një familjeje në harmoni, në dashuri, në dhembshuri për fëmijët dhe për të tjerët”, u shpreh z. Hoxholli.

Më tej, kreu i Kulteve vlerësoi se në kohën e sotme, kur jemi të pushtuar nga lajmi i keq, të gjithë ne, kemi nevojë të vëmë theksin tek e mira. Nëse kemi një rast dhune diku, kemi qindra e mijëra familje që jetojnë në harmoni. Nëse ne, do të merremi vetëm me dhunën dhe veset, duke mos vënë theksin tek e mira, do të lëmë hapësirë për të keqen që të prezantohet si normalitet brenda nesh u shpreh z. Hoxholli.

Drejtori i Kulturës në komunitetin Mysliman të Shqipërisë, z. Genti Kruja, në kumtesën e tij, theksoi se në kushtet e sotme, pavarësisht zhvillimit dhe arritjeve në fusha të ndryshme, është e domosdoshme që të jetë në plan të parë ruajtja e vlerave bazë të familjes, e cila është një garanci e sigurt për të ardhmen e individit, shoqërisë dhe kombit.

“Familja është elementi themelor i shoqërisë. Ajo është shtylla më e rëndësishme e saj. Sa të respektuar të jenë pjesëtarët e familjes ndaj të drejtave dhe de­tyrave të njëri­-tjetrit, aq e shëndoshë është edhe shoqëria. Shkolla e parë e fëmijëve është shtëpia, kurse edukatorja e parë, është nëna. Përgatitja e nënave si edukatore është baza më e rëndësishme për ekzistencën dhe vazhdimësinë e një populli”, u shpreh z. Kruja.

Në simpozium referuan gjithashtu zoti Thoma Çomëni, pedagog në Akademinë Teologjike Ortodokse, Dom Henry Velltkamp, përfaqësuesi i Kishës Katolike, Dervish Sali Peti, përfaqësues i Kryegjyshatës Bektashiane dhe Pastor Akil Pano, sekretar i Përgjithshëm i Vëllazërisë Ungjillore.

Zoti Thoma Çomëni, pedagog në Akademinë Teologjike Ortodokse, në kumtesën e tij theksoi se, “Familja dhe shoqëria kanë një lidhje te veçantë midis tyre. Mosha e familjes njësohet me atë të shoqërisë dhe njëkohësisht gjendja e njërës reflektohet tek tjetra. Ky ndikim reciprok i tyre vjen për pasoj se nga njëra ane familja si qelize e shoqërisë është njësia baze ku mbështetet zhvillimi dhe progresi shoqëror dhe nga ana tjetër struktura shoqërore e formësuar ndikon ne mënyrë te vazhdueshme tek familja”.

Më tej, z. Çomëni e shpreh se “Ne këtë lidhje te shoqërisë dhe familjes luajnë rol shumë institucione, por me jetëgjati dhe madje i të njëjtës moshë me shoqërinë dhe familjen është besimi fetar. Ai ka një rol te padiskutueshëm ne formësimin, zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e familjes nëpërmjet dialogut, debatit dhe përvojës shoqërore dhe familjare që përjetohet brenda tij”.

Ndërsa Dom Henry Velltkamp, përfaqësuesi i Kishës Katolike në Shqipëri, u shpreh se, familja nuk është një realitet apo shoqëri e mbyllur. Duke cituar Papa Gjon Palin II, ai tha: “Familjet, si veçmas, ashtu edhe të bashkuara, mund dhe duhet t’u kushtohen veprave të shumëfishta të shërbimit shoqëror, sidomos në dobi të të varfërve, dhe sidomos të të gjithë atyre personave e situatave, që organizimi sigurues dhe asistencial i autoriteteve publike nuk mund t’i arrijë.” Dhe vazhdon: “Detyra shoqërore e familjeve është e thirrur të shprehet edhe në formën e ndërhyrjes politike: pra, familjet duhet të kujdesen të parat që ligjet dhe institucionet e shtetit jo vetëm të mos i shkelin, por edhe t’i mbështesin dhe t’i mbrojnë pozitivisht të drejtat dhe detyrat e familjes”. Në përfundim, Dom Henry, theksoi se, njësitë që e përbejnë shoqërinë nuk janë individët, por familjet. Shëndeti i një shteti matet nga shëndeti i familjes. Familja, pra, ka detyrë të ndikojë për zhvillimin e shoqërisë.

Dervish Sali Peti, në fjalën e tij të përqendruar tek roli i gruas në familje, duke ju referuar Profetit Muhamed përcolli fjalën e Tij ku thotë:  “Parajsa ndodhet në këmbë të nënave”. Gjithshtu, ai më tej theksoi se Islami garaton jetën bashkëshortore, pastërtinë dhe dashurinë e burrit dhe fëmijve dhe se ndarja e punës dhe detyrat e secilit janë faktorë  forcues të mardhënieve bashkëshortore.

Në kumtesat e tyre, referuesit theksuan mes të tjerash se në ditët e sotme, shpeshherë, rastisim të dëgjojmë e të shikojmë raste nga më të pazakontat të cilat lëkundin themelet dhe bazat e shoqërisë sonë, lëkundin themelet e familjes. Këto raste na detyrojnë që me seriozitetin më të madh t’i qasemi kësaj çështjeje nga të gjitha aspektet e saj, si nga ai fetar, ekonomik, politik, shoqëror, shëndetësor, arsimor, psikologjik etj., dhe të rikujtojmë e të sjellim edhe një herë në vëmendjen e të gjithëve rëndësinë e familjes dhe rolin që ajo luan në edukimin e fëmijëve dhe brezave të ardhshëm.

Në këtë veprimtari ku ra në sy një pjesëmarrje e gjerë, morën pjesë përfaqësues të lartë të komuniteteve fetare, drejtues dhe përfaqësues nga shoqëria civile, studiues të ndryshëm, etj.

Shënim:

Ky simpozium ishte planifikuar të mbahej më 15 maj 2014, Ditën Ndërkombëtare të Familjes  por, për shkak të ndryshimit të axhendës protokollare për pritjen e delegacionit nga jasht vendit, u shty për tu mbajtur ditën e Shtunë, datë 24 maj 2014.

 

 

Fjala e plotë e Kryetarit të Komitetit Shtetëror për Kultet, z. Ilir Hoxholli

 

Të nderuar përfaqësues të bashkësive fetare

Të nderuar pjesëmarrës, e nderuara zonja moderatore …

Në fakt, ne jemi mësuar që kur të flasim për familjen, të themi ndal dhunës ndaj gruas, ndal abortit, ndal abandonimit të fëmijëve në jetimore, të themi ndal.. ndal.. ndal… duke u munduar ta ruajmë familjen.

Ne mjaftohemi me fjalën “ndal” , shikojmë herë-herë me indiferentizëm dhe ndonjë protestë… Por qasja mbetet gjithmonë në kahun negativ. Ne asnjëherë nuk e kemi pyetur veten se, çfarë humbim ne kur dhunohen gratë? Është një pyetje me që neve na duhet t’i përgjigjemi të gjithë. Në fakt kjo është një pyetje që na fton të shohim nga gjërat e mira që përfitojnë jo vetëm familja, por e gjithë shoqëria, ku një grua nuk është më e dhunuar, por e respektuar…

Pikërisht këtu dua të ndalem. Tek ajo që duhet të theksojmë sot më shumë se çdo gjë: tek ato të mira që përfiton shoqëria nga një familje e shëndoshë, nga një familje që në vend të dhunës, propozon buzëqeshje. Që në vend të abortit propozon jetë, ku në vend abandonimit të fëmijës dhuron një brez për një të ardhme të sigurtë…

Para disa ditësh isha pranë fëmijëve jetimë biologjik te Shtëpia e  Fëmijës Zyber Hallulli. Fytyra të qeshura, që dhuronin buzëqeshje dhe dashuri pafund. Fillova të pyes veten, a e dine nënat e tyre se sa bukur u buzëqeshin fëmijët tashmë të rritur… ??

Ne duhet të gjithë së bashku, të bëjmë gjithçka që shoqëria mbarë të jetë e njoftuar nga ato të mira që na vijnë përmes një familjeje në harmoni, në dashuri, në dhembshuri për fëmijët dhe për të tjerët.

Ne e dimë se asnjë mekanizëm modern për rehabilitimin e viktimave,  nuk mund ta zëvendësojë jetën me dashuri dhe buzëqeshje. Dhe këto të parat gjenden në familjet tona, aty ku ngjizet më pas dashuria për botën përreth..

Ndaj, në një kohë që po shkojmë drejt harresës së vlerave të familjes, me pretekstin se ato tashmë dihen, indiferenca ndaj tyre, ndaj traditës burrë-grua, ndaj edukimit të fëmijëve, të gjitha këto kanë pasojat e tyre në indiferentizmin e gjithë shoqërisë, ndaj unë ju drejtohem ju, si barinj shpirtëror, si përçues të fjalës hyjnore, që të bëjmë gjithçka për të risjellë në vëmendje vlerat dhe modelin e përkryer që kemi brenda nesh, në të kundërt indiferentizmi dhe ashpërsia e shoqërisë do të lërë më pas pasoja tek gjithçka, e sidomos tek e ardhmja.

Nëse duam një shoqëri më të mirë, duhet që ajo të orientohet drejt kahut pozitiv, pasi e keqja përhapet nëpërmjet rasteve të këqija, duke na krijuar përshtypjen se ajo tashmë e ka fituar betejën me ne, ndërkohë që orientimi nga e mira, vlerat, e zvogëlon të keqen dhe orienton shoqërinë drejt së mirës…

Dhe në këto ditë, kur jemi të pushtuar nga lajmi i keq, ne të gjithë kemi nevojë të vëmë theksin tek e mira. Se nëse kemi një rast dhune diku, kemi qindra e mijëra familje që jetojnë në harmoni. Se nëse ne, do të merremi vetëm me dhunën dhe veset, duke mos vënë theksin tek e mira, do të lëmë hapësirë për të keqen që të prezantohet si normalitet brenda nesh.

Ju Faleminderit!