Komiteti Shtetëror për  Kultet është institucion shtetëror qendror që mbulon marrëdhëniet ndërmjet Shtetit dhe bashkësive fetare. Komiteti Shtetëror për Kultet ka pasur dhe ka si përparësi të veprimtarisë së vet, punën për zbatimin e detyrimeve të tij kushtetuese, plotësimin e kuadrit ligjor mbi marrëdhëniet e Shtetit me fenë, ruajtjen dhe zhvillimin e harmonisë ndërfetare në vend.

Krijimi i këtij institucioni për të realizuar këtë lloj marrëdhënieje, për herë të parë daton në vitin 1992, vit në të cilin u krijua  “Sekretariati Shtetëror për Fenë”, i vendosur pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ky Sekretariat përbëhej prej 4 vetësh, me këto emërtime: Sekretar Shteti për marrëdhëniet me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, detyrë që e kryente  Zoti Bardhyl Fico, i cili në të njëjtën kohë kryente edhe funksionin e kreut të Sekretariatit; Sekretar Shteti për marrëdhëniet me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, detyrë të cilën e kryente Zoti Lekë Tasi; Sekretar Shteti për marrëdhëniet me Kishën Katolike në Shqipëri, detyrë që e kryente Zoti Sokol Mirakaj; si dhe një sekretare. Sekretarët e Shtetit për fenë emëroheshin nga Kryeministri.

Në maj të vitit 1994, ky institucion, duke ruajtur të njëjtin emër dhe strukturë, kalon pranë Këshillit të Ministrave, deri në miratimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave (VKM) Nr. 459, datë 23.09.1999.

1Me këtë Vendim, krijohet Komiteti Shtetëror për Kultet dhe kryetar i tij emërohet Zoti Behar Bejko, ndërsa anëtarë të Komitetit qenë: Zoti Bashkim Haxhiu për marrëdhëniet me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, Zoti Sokol Miraka për marrëdhëniet me Kishën Katolike në Shqipëri dhe Zoti Sulejman Dedej për marrëdhënëniet me Kryegjyshatën Botërore Bektashiane.

Në shtator të vitit 2001 emërohet si kryetar i Komitetit Zoti Fatri Sinani, detyrë të cilën e mban deri në mars të vitit 2004. Në këtë vit, miratohet VKM Nr.128, datë 11.03.2004, që i jep Komitetit statusin e Institucionit Qendror. Mbështetur në Vendimin e ri, Komiteti rikompozohet tërësisht. Kryetar emërohet Zoti Halil Lalaj, ndërsa anëtarë të Komitetit: Zoti Bashkim Haxhiu, për marrëdhëniet me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, Zoti Artan Kosti, për marrëdhëniet me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqiperisë, Zoti Rrok Logu, për marrëdhëniet me Kishën Katolikë në Shqipëri dhe Zoti Viktor Sharra, për marrëdhëniet me Kryegjyshatën Botërore Bektashiane.

Në fund të vitit 2004, në postin e Kryetarit të Komitetit emërohet zoti Ilir Kulla, i cili qëndron në këtë detyrë deri në vjeshtë të vitit 2005 dhe në tetor të këtij viti, Kryetar emërohet Zoti Rasim Hasanaj dhe në vend të Anëtarit Zotit Bashkim Haxhiu, emërohet Zoti Nexhat Gjuzi. Po në këtë vit, me VKM-në Nr. 666, datë 26.10.2005, Komiteti kalon në vartësi të Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Në qershor të viti 2006, me VKM-në 344, datë 07.06.2006, Komiteti shtohet me një anëtar. Me Urdhrin Nr. 186, datë 03.08.2006, të Kryeministrit, miratohet struktura dhe organika e re e institucionit, me 10 punonjës, strukturë që vazhdon të jetë edhe sot. Në këtë periudhë emërohen dy anëtarë të rinj, Zoti Kreshnik Hashorva dhe Zoti Rodolf Radovani, të cilët zëvendësojnë përkatësisht Zotin Viktor Sharra, që në vazhdim, do të mbulojë marrëdhëniet me Vëllazërinë Ungjillore të Shqipërisë dhe besimet e tjera dhe Zoti Rrok Logu, i emëruar në detyrën e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Selinë e Shenjtë.

Më 15 nëntor 2010, pas largimit të Zotit Kreshnik Hashorva, për marrëdhëniet me Kryegjyshatën Botërore Bektashiane emërohet si anëtar Zoti Lirim Neziraj.

Më 10 korrik 2013, pas lënies së detyrës nga Zoti Nexhat Gjuzi dhe Zoti Rodolf Radovani, emërohen si anëtarë të Komitetit, përkatësisht Zoti Servet Gura dhe Zonja Florida Jahollari (Gjino).

Me VKM-në Nr. 1029, datë 27.11.2013, Komiteti Shtetëror për Kultet kalon në vartësinë e Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Në dhjetor te vitit 2013 emërohet si Kryetar i Komitetit Zoti Ilir Hoxholli.

Më 31 mars 2014, pas lënies së detyrës nga Zoti Viktor Sharra, për marrëdhëniet me Kishën Katolike në Shqipëri, emërohet si anëtar i Komitetit Zoti Rrok Logu.

Gjatë kësaj periudhe, Komiteti Shtetëror për Kultet ka përbushur disa detyra bazë, të cilat rrjedhin nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe baza ligjore e veprimtarisë së tij. Ndër to veçojmë:

  • Hartimi dhe miratimi në Kuvendin e Shqipërisë i Marrëveshjeve mes Këshillit të Ministrave dhe bashkësive fetare tradicionale, përkatësisht me Selinë e Shenjtë (në vitin 2002), me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, të cilat ratifikohen në Kuvend më 22.01.2009. Ndërsa në vitin 2011,  miratohet në Kuvendin e Shqipërisë edhe marrëveshja me Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë (VUSH).
  • Hartimi dhe miratimi i Ligjit për financimin nga buxheti i Shtetit të bashkësive fetare tradicionale që kanë nënshkruar Marrëveshjet e miratuara në Kuvendin e Shqipërisë më 15.05.2009.

 


 

klikoni për më shumë