Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, zoti Ilir Dizdari, në një prononcim për mediat u shpreh se takimi “Paqja Është Gjithmonë e Mundshme”, një event ndërkombëtar që këtë vit përzgjodhi si ndalesë të radhës Shqipërinë, shërben si model mbarëbotëror i harmonisë dhe bashkëjetesës fetare, që në thelb, është vetë kuptimi esencial i të gjitha feve, piketakimi me i madh i të gjitha religjoneve, që thellë, sublimimin më të madh e kanë bërë në përpjekjet e tyre për të bërë të mundur paqen.

Më tej, Dizdari theksoi se, simbolika e zhvillimit në Shqipëri të këtij aktiviteti është se bashkëjetesa në rrugëtimin e saj nuk është pasiviteti por ndërtimi me kontributin e përbashkët i një shoqërie të tillë. Pa pikën e mëdyshjes, sakrifica shqiptare në shekuj për të ndërtuar një shoqëri të tillë shërben si model unik e mbarëbotëror, nje shembull që duhet ndjekur, përkrahur e inkurajuar për të ndërtuar një rend të paqtë.