Tiranë, 07 shtator 2015 – Me anë të një ceremonie madhështore u inaugurua Faltorja Qëndrore (Odeoni) e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Në ceremoninë e inaugurimit ishin të pranishëm drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar, si Kreytari i Parlamentit z.Ilir Meta, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë z. Edi Rama, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë zoti Blendi Klosi, Kryetari i Partisë Demokratike z. Lulzim Basha, Kryetari i Bashkisë së Tiranë z. Erion Veliaj, Kryetari dhe anëtarët e Komitetit Shtetëror për Kultet, përfaqësues të besimeve fetare, ambasadorë, dhe shumë klerikë të ftuar nga vende të ndryshme të botës.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Haxhi Baba Edmond Brahimaj, u uroi mirëseardhjen të ftuarve dhe falënderoi të githë ata që kanë kontribuar për rilindjen e bektashizmit në Shqipëri, duke shtuar më tej se, “edhe bektazhizmi do të luajë rolin e vet në të mirë të kombit”.

Ndërsa Kryeministri z. Edi Rama, në fjalën e tij, theksoi se, Odeoni i ri i bektashinjve, është një amanet i përmbushur. “Dede Reshati e sheh sot të kryer amanetin e moçëm për ngritjen e kësaj faltoreje, e kësaj mrekullie, pa qënë fizikisht të jetë i mundur këtu mes gjithë admiruesve dhe miqve të tij”, tha z. Rama.

Duke vazhduar më tej, z. Rama u shpreh se, “Ja ku jemi këtu ne të mbetur pas ikjes së tij, dëshmitarë të vizionit jashtëzakonshëm të një njeriu në pamje të parë të zakonshëm, por në thelb të shenjtë. Kjo mrekulli e realizuar me vizionin dhe vullnetin e një njeriu aq të zakonshëm me njerëz të zakonshëm dhe aq të shenjtë përballë gjithëkujt ndër ne, e cila shfaqet sot me një fuqi shumë të qetë dhe në harmoni të plotë me natyrën e këtij vendi, jam krenar që gjeti mbështetjen e qeverisë sonë, e cila në fakt duke mbështetur ndërtimin e kësaj faltoreje, nuk përmbushi thjesht amanetin e një njeriu të shenjtë, por përmbushi një detyrë patriotike karshi bektashizmit dhe të gjithë bektashinjve shqiptarë”.

Gjithashtu, me rastin e këtij inaugurimi, edhe Papa Françsku dërgoi një mesazh urimi, i cili iu përcoll Baba Mondit nga Nunci Apostolik Ramiro Molinar Ingles.

DSC_7943  a   DSC_8152 a