Ilir Hoxholli, kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, kritikon deklaratat e Patriarkut të Serbisë Irinej, duke i cilësuar ato si të papranueshme në një shtet si Shqipëria, i cili njërën nga vlerat më të mëdha ka harmoninë fetare.
“Është një përgjegjësi personale e Irinejt i cili ka krijuar një lloj provokimi tek shqiptarët. Duke patur këtë event historik, nuk do ishte mirë që të kishim deklarata të tilla. Një intervistë që ka revoltuar shqiptarët, por duket se ora e tij ka mbetur mbrapa përsa i përket Kosovës pasi jemi në vitin 2014 dhe Kosova tashmë është e pavarur”, tha Hoxholli.

Duke u ndalur tek reagimi i kryeministrit Edi Rama gjatë takimit me patriarkët, Hoxholli hedh dritë mbi atë çfarë ka ndodhur brenda zyrave të Kryeministrisë: “Kryeministri shprehu revoltën e tij duke thënë që kemi të bëjmë me një abuzim me mikpritjen e shqiptarëve. Qëndrimi ka qenë mjaft i ashpër duke cilësuar se deklarata të tilla nuk mund të cënojnë harmoninë fetare të shqiptarëve dhe ne shqiptarët nuk do të biem pre e deklaratave të tilla. Rama ka qenë shumë i revoltuar gjatë takimit.”

Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet i kujton Patriarkut Irinej historinë, ku askush nuk ka arritur ta prishë harmoninë fetare mes shqiptarëve: “Kemi një qëndrim të ish-kryeministrit malazez në pjesën e historikut të Shkodrës që thotë: sa herë u munduam t’i vëmë të krishterët kundër muslimanëve në Shkodër, kurrë nuk e realizuam. Kështu që, deklarata të tilla nuk mund ta cënojnë dot kurrë harmoninë fetare në vendin tonë. Irinej bëri një deklaratë boshe për Shqipërinë.”