21 shkurt 2017

Në mjediset e Komitetit Shtetëror për Kultet, Kryetarja e këtij komiteti, znj. Loreta Aliko, zhvilloi një takim me përfaqësuesin e Shoqatës “Dëshmitarët e Jehovait” në Shqipëri, z. Michael di Gregorio, i cili nxorri në pah disa nga problemet e kësaj shoqate në lidhje me taksat dhe pagesën e sigurimeve për vullnetarët e saj, por dhe mbi mundësinë e nënshkrimit në të ardhmen, të një marrëveshjeje midis shtetit dhe kësaj bashkësie. Z. Di Gregorio vlerësoi ndërkaq, marrëdhëniet e mira mes institucioneve, si dhe korrektësinë e seriozitetin e KSHK-së ndaj misionarëve të kësaj shoqate.

Znj. Aliko nga ana e saj, siguroi në vijimin e bashkëpunimit të mëtejshëm dhe bëri me dije se Komiteti Shtetëror për Kultet do të jetë gjithnjë i gatshëm për të bashkëpunuar në çdo rast, duke mbështetur projektet në të mirë të shoqërisë shqiptare.