Më datë 1 gusht 2017, u nda nga jeta Anëtari i Komitetit Shtetëror të Kulteve, z. Rrok Logu (1962-2017), ish-Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, ish-Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë pranë Urdhrit të Maltës, anëtar i Komitetit Shkencor në “ACCADEMIA BONIFACIANA” në Romë, ish-profesor në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike pranë Universistetit Politeknik të Tiranës.

Z. Rrok Logu lindi në 23 gusht 1962 në qytetin e Shkodrës, kreu studimet e larta në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike në Universitetin e Tiranës (1981-1986). Punoi fillimisht inxhinier elektrik pranë Centralit Elektrik të Komanit (1987-1992), kryeinxhinier i Ndërmarrjes së Shpërndarjes Elektrike në Shkodër (1992-1994), profesionist i lirë në projektim dhe zbatim (1994-1998; 2002-2004), asistent drejtues në Programin e ECHO pranë Karitasit Italian Tiranë (1998-1999), Drejtor Teknik pranë Karitasit Shqiptar për ndërtimet social-kulturore në Dioqezat e Shkodrës e Tiranës (1999-2000), Drejtor Teknik për Projektet pranë Karitasit të Zvicrës dhe SDC në Shqipëri (2000-20002), Anëtar i Komitetit Shtetëror për Kultet (1998-2006; 2014 e deri në korrik 2017), docent i jashtëm në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike pranë Universitetit Politeknik të Tiranës (titullar i lëndës Automatikë e Sistemeve Energjetike 1998-2006), Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë (2006-2013), Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë pranë Urdhrit të Maltës (2007-2013), anëtar i Komitetit Shkencor në “ACCADEMIA BONIFACIANA” në Romë (2011 e në vazhdim).

Z. Rrok Logu ka botuar një sërë artikujsh me tematika mbi inxhinierinë elektrike dhe mekanike në vend e në Ballkan, në buletine e revista të ndryshme shkencore.

Ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në marrëdhëniet midis Shtetit shqiptar dhe Selisë së Shenjtë. Për veprimtarinë e vyer në këtë drejtim, ai është vlerësuar me disa çmime ndërkombëtare: Çmimin ndërkombëtar FOYER 2009, Çmimin ndërkombëtar për Paqen “Ambasador vullnetmirë” 2010, Çmimin ndërkombëtar “Domenico Aliquo” 2012, Çmimin ndërkombëtar “Bonifacio VIII” 2012, bashkëpunëtor nderi i UCITecnici të Italisë 2009.

Gjithashtu, për meritat e veçanta si Ambasador, z. Rrok Logu është nderuar me tituj honorifikë: “Kavalier i Urdhrit Piano të Klasit I” dhe “Kavalier i Kryqit të Madh të Urdhrit Sovran të Maltës për Merita Militense”.

 

Z. Rrok Logu ka qenë një intelektual aktiv në çështje të rëndësishme të besimit fetar në Shqipëri.

Ndarja e tij e parakohshme nga jeta, është një humbje e madhe për të gjithë ne, kolegët e Komitetit Shtetëror për Kultet, që kemi ndarë bashkë gëzime e shqetësime, familjare apo profesionale, që kemi shkëmbyer opinione e marrë këshilla. Ai lë një zbrazëtirë të pazëvendësueshme në zemrat tona.

Në këtë moment të hidhur, i gjendemi pranë dhe bashkëndajmë dhimbjen me Borën, Martinin, Antonian dhe  familjarët e miqtë e tjerë.

 

Lamtumirë Rrok… Të qoftë i lehtë dheu!