Ekziston një marrëveshje mes shtetit dhe Komunitetit Mysliman, që ndalon autoritetet të hyjnë në objektet e shenjta, përveç rasteve të flagrancës. Por kreu i Komitetit të Kulteve, Ilir Hoxholli pohon për MAPO-n se kontrollet dhe arrestimet në dy xhamitë e Tiranës nuk bien ndesh me këtë marrëveshje. “Shteti është i gatshëm të njohë si objekt të shenjtë në bazë të marrëveshjes, vetëm ndërtesat dhe objektet të njohura nga Komuniteti Mysliman”,- thotë ai, ndërsa shton se në rastin e fundit, Komuniteti ka pasur bashkëpunim të afërt me autoritetet për këtë shqetësim të përbashkët. Hoxholli shpreh bindjen se imazhi i besimtarëve myslimanë dhe toleranca fetare, e kultivuar ndër shekuj nuk mund të zhbëhen në një ditë. Hoxholli bën thirrje për qetësi dhe durim, derisa drejtësia të thotë fjalën e saj, ndërsa shton në këtë intervistë se Komiteti i Kulteve, së bashku me Komunitetin Mysliman po e ndjekin së bashku situatën.

Zoti Hoxholli, arrestimet e fundit të dy imamëve dhe disa besimtarëve po ngrenë pikëpyetje mbi xhami të palegalizuara nga Komunitetit Mysliman. Mund të na sqaroni procedurën se si Komiteti Mysliman i ndërton xhamitë?  

Komuniteti Mysliman ka një marrëveshje me shtetin, ku parashikohen edhe objektet e kultit. Në nenin 21 të marrëveshjes, pika 2 parashikon qartë: “Institucionet përkatëse e në veçanti Komiteti shtetëror i Kulteve, bashkëpunojnë me bashkësitë fetare për të përcaktuar vendin për ndërtimin e objekteve fetare, në përputhje me nevojat fetare të personave, si edhe mbi bazën e planeve rregulluese urbanistike.” Për ndërtimin e një xhamie në rastin e Komunitetit Mysliman është institucioni kompetent, i cili thith investimin dhe përcakton vendin për ndërtimin e xhamisë. Shteti është i gatshëm të njohë si objekt të shenjtë në bazë të marrëveshjes, vetëm ndërtesat dhe objektet të njohura nga Komuniteti Mysliman dhe ndërhyrja e autoriteteve në to, në bazë të nenit 21 pika 1, është e ndaluar.

Në rastet e fundit, forcat e policisë kanë hyrë në to duke kryer kontrolle. Besimtarët kanë pretenduar se është sulmuar objekti i kultit. A nuk është kjo një cenim i të drejtës që buron nga marrëveshja?

E drejtë pyetja juaj. Ndërhyrja në bazë të marrëveshjes është e ndaluar, me përjashtim të rasteve të flagrancës, të parashikuar në nenin 21, kur një gjë e tillë kërkohet në zbatim të një urdhri të prokurorisë, të një vendimi gjyqësor ose titulli ekzekutiv, ose në rast të një kanosjeje të një rreziku të afërm. Sipas dëshmitarëve, nga vetë besimtarët kemi mësuar në media që policia ka paraqitur shkresën përkatëse, çka e legjitimon ndërhyrjen në xhami. Këtu i referohem xhamive të njohura nga Komuniteti Mysliman, pasi shteti shqiptar ka marrëveshje me komunitetet fetare. Sipas informacioneve ka një pretendim për një ndërhyrje në xhaminë e Pogradecit, por deri më tani, nuk ka arritur asnjë shqetësim nga Komuniteti Mysliman apo Myftinia e Pogradecit që ne të marrim në shqyrtim çështjen.

Arrestimet e dy imamëve dhe gjashtë besimtarëve kanë ngritur shqetësimin e funksionimit të disa xhamive në vend. Ju vetë si i cilësoni këto arrestime?

Në radhë të parë, kjo situatë duhet të trajtohet qetësisht, sepse është normale që shteti, nëse shikon që diçka nuk funksionon siç duhet, mund të ndërhyjë. Komuniteti Mysliman e ka ngritur me kohë këtë shqetësim dhe bashkëpunimi i tij me autoritetet përkatëse ka qenë i afërt. I referohem një letre, që në prill të vitit të kaluar drejtuar organeve kompetente. Ndërsa për rastin në fjalë, le t’ia lejmë drejtësisë të thotë fjalën e saj. Gjykata tashmë po njihet me provat dhe derisa ajo të thotë fjalën e fundit, çdo koment do të ishte i kotë. Përsa i përket problematikës së xhamive, Komuniteti Mysliman nuk ka shprehur ndonjë shqetësim mbi xhamitë të cilat njihen nga vetë Komuniteti si institucion. Ndaj çdo xhami e njohur nga Komuniteti Mysliman, e cila nuk shfaq problematika në bazë të nenit 21 pika 3, Këshilli i Ministrave merr përsipër që për objektet e Kultit të paregjistruara të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, të ndihmojë në procesin e legalizimit. Ndaj asnjë xhami, e cila nuk ka njohjen dhe dokumentacionin teknik të paraqitur nga Komuniteti Mysliman, në bazë të marrëveshjes nuk do të legalizohet.

A mendoni se ngjarjet e fundit kanë dëmtuar imazhin e besimtarëve praktikantë apo dhe ndaj islamit në përgjithësi? Mendoni se është thyer imazhi i Komunitetit në rastin konkret?

Të flasësh për Komunitetin Mysliman duhet të zgjatesh shumë, pasi ai nuk përfaqësohet as në kohë dhe as në individë. Myslimanët i kanë shërbyer vendit dhe kontributi i tyre ka qenë vendimtar që nga shtet-formimi dhe deri në ditët e sotme. Është komuniteti që bashkë me komunitetet e tjera fetare, kanë bërë që Shqipëria të jetë vendi më unik në botë, vlerë të cilën do ta kishte zili kushdo. Imazhin dhe tolerancën nuk mund ta prishin dot ngjarjet, një histori paqeje, kontributi, vlerash nuk mund të zhbëhet në një ditë dhe as me një rast. Sot Komuniteti Mysliman është nga kontribuuesit më të mëdhenj, me anë të shoqatave bamirëse nga Ambasada e Kuvajtit dhe të tjerë që mban rreth 8500 jetimë me ndihma. Medresetë janë një shembull në arsimin e vendit, ata shpesh në konkurset ndërkombëtare kanë marrë çmime të para ku kanë ngritur lart flamurin kombëtar. Në rastet në nevojë, kanë qenë të parët që kanë kontribuar për t’u ardhur në ndihmë njerëzve të prekur në zonat e përmbytura apo të bllokuara nga dëbora. Komuniteti Mysliman ka referencë figurat e shquara patriotike si Vehbi Dibra, Ibrahim Dalliu, Ali Korça, shembuj të tolerancës dhe harmonisë. Shumë xhamia në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë kanë ndihmuar në aktivitete sociale. Ndaj është e pamundur të zhbësh një histori harmonie, unike në botë për një ditë.

Si e keni pritur detyrën tuaj të re si kryetar i Komitetit të Kulteve?

Kalimi nga Ministria e Kulturës tek Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për mua ka qenë një nga surprizat më të bukura, pasi i ka dhënë Kulteve një dimension të ri, duke i shtuar atë social. Të ndaj me ju një emocion që vërtet më bën të ndjehem i vlerësuar dhe i motivuar, ky është bashkëpunimi me ministrin Veliaj, i cili është një person i palodhur dhe kërkues, si edhe një kënaqësi të ndodhesh në krah të tij për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë. Ndaj dhe pjesa sociale është për mua një emocion i veçantë, nuk ka më mirë së t’i gjendesh dikujt në nevojë.

Duke iu kthyer dhe një herë dyshimeve për këtë grup të arrestuar, si mendoni se do të zgjidhen problemet në të ardhmen, që raste të tilla të veçuara të mos përsëriten më?

Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Komunitetin Mysliman dhe po ndjekim së bashku situatën. Komuniteti Mysliman na ka garantuar se jo vetëm po monitoron situatën, por edhe po studion zgjidhjen e saj. Kryetari i ri më ka siguruar gjatë takimit se do të angazhojë të gjitha strukturat që nga Kryesia deri tek çdo Myftini dhe imam për t’i njohur me situatën si edhe çdo shqetësim që rrjedh prej tyre, të përcillet me shpejtësi në institucion. Kjo do të rrisë influencën e institucionit, që do t’i shërbejë integrimit dhe marrjen parasysh të shqetësimeve të besimtarëve. Ndaj dua të garantoj se qeveria vazhdon të mbështesë komunitetet fetare me financimin e përvitshëm, që për vitin 2014 njeh një rritje të lehtë pavarësisht kushteve. Do të shqyrtojë çështjen e kthimit të pronave me përparësi, pasi komunitetet fetare duhet të kenë mundësi sa më të mirë vetëfinancimi. Harmonia fetare, si rasti unik në botë është vlerë dhe arritje që meriton preokupimin e qeverisë, harmoni për të cilën falenderoj të gjitha komunitetet fetare dhe besimtarët e tyre. Ndaj duke ju falenderuar për mundësinë që më dhatë, po e mbyll me një dëshirë: Zoti na e fali këtë vend të mrekullueshëm, ndaj ta ruajmë dhe ta çojmë përpara drejt sfidave të integrimit europian.

Marrë nga Gazeta Mapo