“Në një kohë që po shkojmë drejt harresës së vlerave të familjes, unë ju drejtohem ju, si barinj shpirtëror, që të bëjmë gjithçka për të risjellë në vëmendje vlerat dhe modelin e përkryer që kemi brenda nesh”- Ilir Hoxholli

Tiranë, 24 maj 2014 – Komiteti Shtetëror për kultet, në bashkëpunim me Bashkësitë Fetare tradicionale në vend, organizuan simpoziumin me temë: “Roli i komuniteteve fetare në forcimin e vlerave të familjes, si bërthamë bazë e shoqërisë”.

Simpoziumi u përqendrua në modelin e familjes si vlerë e veçantë e popullit shqiptar, si dhe rëndësinë që i japin asaj fetë, të cilat e konsiderojnë si kala mbrojtëse për ruajtjen e vlerave të moralit njerëzor.

Përshëndetjen në emër të organizatorëve e mbajti Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, z. Ilir Hoxholli, i cili pasi falënderoi të pranishmit në këtë simpozium, vlerësoi lart kontributin e bashkësive fetare në ruajtjen dhe konsolidimin e vlerave të familjes.

“Ne duhet të gjithë së bashku, të bëjmë gjithçka që shoqëria mbarë, të jetë e njohur për ato të mira që na vijnë përmes një familjeje në harmoni, në dashuri, në dhembshuri për fëmijët dhe për të tjerët”, u shpreh z. Hoxholli.

Më tej, kreu i Kulteve vlerësoi se në kohën e sotme, kur jemi të pushtuar nga lajmi i keq, të gjithë ne, kemi nevojë të vëmë theksin tek e mira. Nëse kemi një rast dhune diku, kemi qindra e mijëra familje që jetojnë në harmoni. Nëse ne, do të merremi vetëm me dhunën dhe veset, duke mos vënë theksin tek e mira, do të lëmë hapësirë për të keqen që të prezantohet si normalitet brenda nesh u shpreh z. Hoxholli.

Drejtori i Kulturës në komunitetin Mysliman të Shqipërisë, z. Genti Kruja, në kumtesën e tij, theksoi se në kushtet e sotme, pavarësisht zhvillimit dhe arritjeve në fusha të ndryshme, është e domosdoshme që të jetë në plan të parë ruajtja e vlerave bazë të familjes, e cila është një garanci e sigurt për të ardhmen e individit, shoqërisë dhe kombit.

“Familja është elementi themelor i shoqërisë. Ajo është shtylla më e rëndësishme e saj. Sa të respektuar të jenë pjesëtarët e familjes ndaj të drejtave dhe de­tyrave të njëri­-tjetrit, aq e shëndoshë është edhe shoqëria. Shkolla e parë e fëmijëve është shtëpia, kurse edukatorja e parë, është nëna. Përgatitja e nënave si edukatore është baza më e rëndësishme për ekzistencën dhe vazhdimësinë e një populli”, u shpreh z. Kruja.

Në simpozium referuan gjithashtu zoti Thoma Çomëni, pedagog në Akademinë Teologjike Ortodokse, Dom Henry Velltkamp, përfaqësuesi i Kishës Katolike, Dervish Sali Peti, përfaqësues i Kryegjyshatës Bektashiane dhe Pastor Akil Pano, sekretar i Përgjithshëm i Vëllazërisë Ungjillore. 

Zoti Thoma Çomëni, pedagog në Akademinë Teologjike Ortodokse, në kumtesën e tij theksoi se, “Familja dhe shoqëria kanë një lidhje te veçantë midis tyre. Mosha e familjes njësohet me atë të shoqërisë dhe njëkohësisht gjendja e njërës reflektohet tek tjetra. Ky ndikim reciprok i tyre vjen për pasoj se nga njëra ane familja si qelize e shoqërisë është njësia baze ku mbështetet zhvillimi dhe progresi shoqëror dhe nga ana tjetër struktura shoqërore e formësuar ndikon ne mënyrë te vazhdueshme tek familja”.

Më tej, z. Çomëni e shpreh se “Ne këtë lidhje te shoqërisë dhe familjes luajnë rol shumë institucione, por me jetëgjati dhe madje i të njëjtës moshë me shoqërinë dhe familjen është besimi fetar. Ai ka një rol te padiskutueshëm ne formësimin, zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e familjes nëpërmjet dialogut, debatit dhe përvojës shoqërore dhe familjare që përjetohet brenda tij”.

Ndërsa Dom Henry Velltkamp, përfaqësuesi i Kishës Katolike në Shqipëri, u shpreh se, familja nuk është një realitet apo shoqëri e mbyllur. Duke cituar Papa Gjon Palin II, ai tha: “Familjet, si veçmas, ashtu edhe të bashkuara, mund dhe duhet t’u kushtohen veprave të shumëfishta të shërbimit shoqëror, sidomos në dobi të të varfërve, dhe sidomos të të gjithë atyre personave e situatave, që organizimi sigurues dhe asistencial i autoriteteve publike nuk mund t’i arrijë.” Dhe vazhdon: “Detyra shoqërore e familjeve është e thirrur të shprehet edhe në formën e ndërhyrjes politike: pra, familjet duhet të kujdesen të parat që ligjet dhe institucionet e shtetit jo vetëm të mos i shkelin, por edhe t’i mbështesin dhe t’i mbrojnë pozitivisht të drejtat dhe detyrat e familjes”. Në përfundim, Dom Henry, theksoi se, njësitë që e përbejnë shoqërinë nuk janë individët, por familjet. Shëndeti i një shteti matet nga shëndeti i familjes. Familja, pra, ka detyrë të ndikojë për zhvillimin e shoqërisë.

 

Dervish Sali Peti, në fjalën e tij të përqendruar tek roli i gruas në familje, duke ju referuar Profetit Muhamed përcolli fjalën e Tij ku thotë:  “Parajsa ndodhet në këmbë të nënave”. Gjithshtu, ai më tej theksoi se Islami garaton jetën bashkëshortore, pastërtinë dhe dashurinë e burrit dhe fëmijve dhe se ndarja e punës dhe detyrat e secilit janë faktorë  forcues të mardhënieve bashkëshortore.

Në kumtesat e tyre, referuesit theksuan mes të tjerash se në ditët e sotme, shpeshherë, rastisim të dëgjojmë e të shikojmë raste nga më të pazakontat të cilat lëkundin themelet dhe bazat e shoqërisë sonë, lëkundin themelet e familjes. Këto raste na detyrojnë që me seriozitetin më të madh t’i qasemi kësaj çështjeje nga të gjitha aspektet e saj, si nga ai fetar, ekonomik, politik, shoqëror, shëndetësor, arsimor, psikologjik etj., dhe të rikujtojmë e të sjellim edhe një herë në vëmendjen e të gjithëve rëndësinë e familjes dhe rolin që ajo luan në edukimin e fëmijëve dhe brezave të ardhshëm.

Në këtë veprimtari ku ra në sy një pjesëmarrje e gjerë, morën pjesë përfaqësues të lartë të komuniteteve fetare, drejtues dhe përfaqësues nga shoqëria civile, studiues të ndryshëm, etj.

Shënim:

Ky simpozium ishte planifikuar të mbahej më 15 maj 2014, Ditën Ndërkombëtare të Familjes  por, për shkak të ndryshimit të axhendës protokollare për pritjen e delegacionit nga jasht vendit, u shty për tu mbajtur ditën e Shtunë, datë 24 maj 2014.