20 mars 2017

Kryetarja e Komitetit Shtetëror për Kultet, znj. Loreta Aliko, mori pjesë sot në Simpoziumin e organizuar nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane, me temë: “Tradita profetike, Imam Aliu dhe bektashizmi”. Në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet me të ftuar nga e gjithë bota, znj. Aliko vuri në dukje vlerat e rëndësishme të figurës së shquar të Islamit, Imam Aliut, që “me urtësinë dhe dashurinë për drejtësi, mbetet një nga modelet më të mira të tolerancës dhe paqes për besimtarët dhe njerëzimin”.

Kryetarja e KSHK-së nxori në pah gjithashtu faktin që “bektashinjtë, së bashku me besimtarët e feve të tjera, të drejtuar nga liderë kombdashës, i kanë dhënë Shqipërisë njerëz atdhetarë”, të cilët “krahas vëllezërve të besimeve të tjera, japin kontributin në ruajtjen dhe forcimin e harmonisë ndërfetare”.