Korçë, 13 Qershor 2014 – Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Zoti Erjon Veliaj, i shoqëruar nga anëtarët e Komitetit Shtetëror për Kultet, z. Servet Gura dhe Artan Kosti, zhvilloi një vizitë në Myftininë dhe  Mitropolinë e Korçës.

Takimin e parë të kësaj vizite, Zoti Veliaj, e zhvilloi me Myftiun e Korçës, Haxhi Qazim Muçi, në ambientet e Medresesë së Korçës. Gjatë takimit, Ministri Veliaj, u interesua për mbarëvajtjen e veprimtarisë së Myftinisë dhe, shprehu rëndësinë dhe rolin që ai komunitet luan në jetën sociale të qytetit të Korçës, si dhe shprehu gatishmërinë e Tij në mbështetje të kryerjes se kësaj detyre të shenjtë. Më pas, Ministri Veliaj, vizitoi dhe mjediset e Medresesë së Korçës, gjatë së cilës u shpreh se këto këto institucione arsimore luajnë një rol të rëndësishëm në mirëarsimimin e brezit të ri dhe se ato, janë institucione të rëndësishme të punësimit dhe sipërmarrjes në vend.

Në vijim, Ministri Veliaj, takoi edhe Mitropolitin e Korçës, Joanin, në ambientet e Selisë së Mitropolisë. Gjatë bisedës me Mitropolitin, Zoti Veliaj, shprehu rëndësinë dhe rolin e besimit në vetëdijesimin e shoqërisë. Mitropoliti Joani, falënderoi Ministrin Veliaj për vizitën dhe vuri theksin te rëndësia dhe roli që luajnë drejtuesit e bashkësive fetare në ruajtjen dhe konsolidimin e harmonisë ndërfetare, ku shprehu se bashkëpunimi ndërmjet komuniteteve fetare në Korçë është në nivel të lartë. Gjithashtu Mitropoliti Joani, e informoi Zotin Veliaj për veprimtaritë e tyre në drejtim të shtresave në nevojë.

1Në ambjentet e Medresesë KorçëMe Mitropolitin e Korçës