Vizitë zyrtare në Republikën e Bullgarisë.
Me ftesë të Prof. Ivan Zhelev, Drejtor i Drejtorisë për Çështjet fetare në Këshillin e Ministrave të Bullgarisë, më 26-27 tetor 2006, një delegacion i Komitetit Shtetëror për Kultet, i kryesuar nga Kryetari i tij, zoti Rasim Hasanaj, kreu një vizitë zyrtare në Bullgari.

Vizita kishte si qëllim, vendosjen e një bashkëpunimi të qëndrueshëm afat gjatë, për të bërë të mundur këmbimin e përvojave ndërmjet dy institucioneve homologe.

Gjatë qëndrimit atje Delegacioni kreu vizita në objekte kulti të bashkësive fetare si: në Kishën Katedralen Ortodokse “Aleksandër Nevski”, në Kishën Katedrale Katolike, në Xhaminë e Banjabashit dhe në Sinagogën e Sofjes. Gjithashtu delegacioni kreu takime me dy zëvendëskryetarët e Komitetit për të Drejtat Civile dhe Kishtare pranë Asamblesë Kombëtare, si edhe me  Prof. Ivan Zhelev, Drejtor i Drejtorisë për Çështjet Fetare në Këshillin e Ministrave.

Të gjitha këto vizita ishin një ndihmesë e veçantë për njohjen nga afër të jetës fetare në Bullgari, besimet që aktualisht veprojnë, marrëdhëniet ndërmjet bashkësive dhe midis bashkësive e shtetit, përvojat në zgjidhjen e problemeve të ndryshme me karakter fetar, për edukim fetar, mbi mënyrën se si është trajtuar çështja e pronave të bashkësive fetare në përgjithësi dhe atyre që janë monumente kulture në veçanti, si edhe për kuadrin ligjor për fenë në atë vend.