Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, Z. Klodjan Bulku dhe Anëtarët e Komitetit, zhvilluan një takim zyrtar në Dikasterin për Dialogun Ndërfetar të Selisë së Shenjtë.
2-4 qershor 2026
Vatikan
Në kuadër të programit të bashkëpunimit ndërkombëtar të Komitetit Shtetëror për Kultet dhe me ftesë zyrtare të Dikasterit për Dialogun Ndërfetar të Selisë së Shenjtë, Delegacioni i Komitetit, i përbërë nga Kryetari, Z. Klodjan Bulku dhe Anëtarët: Znj. Erinda Jova, Znj. Valbona Duri, Znj. Florida Jahollari, Z. Lirim Neziraj dhe Z. Servet Gura, zhvilloi një vizitë zyrtare në Selinë e Shenjtë, në Vatikan.
Vizita u realizua me qëllim forcimin e marrëdhënieve institucionale me Dikasterin për Dialogun Ndërfetar, shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në fushën e dialogut dhe bashkëjetesës ndërfetare, promovimin e modelit shqiptar të harmonisë fetare, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit me institucione ndërkombëtare që veprojnë në këtë fushë.
Vizita zyrtare e delegacionit të Komitetit nisi me një takim zyrtar në Dikasterin për Dialogun Ndërfetar të Selisë së Shenjtë, ku u zhvilluan diskutime mbi rolin e institucioneve shtetërore dhe komuniteteve fetare në promovimin e dialogut, tolerancës dhe bashkëjetesës tradicionale fetare.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e Komitetit Shtetëror për Kultet prezantuan modelin shqiptar të harmonisë fetare, marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe komuniteteve fetare në Republikën e Shqipërisë, si dhe përvojën e vendit tonë në ruajtjen e bashkëjetesës ndërfetare. Në këtë kuadër, u theksua niveli shumë i mirë i bashkëpunimit institucional me Konferencën Ipeshkvore të Shqipërisë dhe marrëdhëniet konstruktive me autoritetet e Kishës Katolike në vend.
Gjithashtu, përfaqësuesit e Komitetit informuan palën pritëse mbi ngritjen dhe funksionimin e Komisionit Ad Hoc për trajtimin e çështjeve të pronave të Kishës Katolike, duke paraqitur në mënyrë të përmbledhur objektivat dhe rolin e këtij mekanizmi në adresimin institucional të çështjeve me interes të përbashkët. Në këtë kontekst, u bë një prezantim i shkurtër i veprimtarisë së Komitetit Shtetëror për Kultet dhe kompetencave të tij në raport me komunitetet fetare.
Gjatë takimit u shkëmbyen gjithashtu pikëpamje mbi sfidat bashkëkohore që lidhen me ekstremizmin dhe radikalizmin e dhunshëm. Në këtë kontekst, përfaqësuesit e Komitetit Shtetëror për Kultet paraqitën përvojën e institucionit në trajtimin e çështjeve sensitive që prekin këtë fushë, duke theksuar rëndësinë e koordinimit institucional, dialogut me komunitetet fetare dhe menaxhimit me profesionalizëm të rasteve delikate, në funksion të ruajtjes së sigurisë dhe harmonisë fetare.
Nga ana e përfaqësuesve të Dikasterit u shpreh interes për përvojën shqiptare dhe për mënyrën se si bashkëjetesa ndërfetare është konsoliduar si një vlerë e rëndësishme e shoqërisë shqiptare.
* * *
Gjatë vizitës zyrtare në Vatikan, Delegacioni i Komiteti Shtetëror për Kultet zhvilloi vizita në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe në Muzetë e Vatikanit.
Në vizitën në Bazilikën e Shën Pjetrit, si një nga qendrat më të rëndësishme të trashëgimisë fetare dhe kulturore botërore, Anëtarët e Delegacionit u njohën me historinë, arkitekturën dhe vlerat shpirtërore që përfaqëson kjo Bazilikë, çka ndikon në zgjerimin e njohurive mbi trashëgiminë kulturore dhe fetare të Selisë së Shenjtë, si dhe në forcimin e mirëkuptimit ndërkulturor e ndërfetar.
Po ashtu, Delegacioni i Komitetit vizitoi Muzetë e Vatikanit, të cilat përfaqësojnë një nga koleksionet më të rëndësishme të trashëgimisë artistike dhe kulturore në botë. Duke u njohur nga afër me vlera të rëndësishme historike, artistike dhe kulturore që pasqyrojnë zhvillimin e qytetërimit evropian dhe rolin e Selisë së Shenjtë në ruajtjen e kësaj trashëgimie, vizita kontribuoi në forcimin e dialogut kulturor dhe në thellimin e njohjes mbi rëndësinë e trashëgimisë kulturore të afrimit ndërmjet popujve dhe kulturave të ndryshme.