Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, Z. Klodjan Bulku dhe Anëtarët Znj. Erinda Jova dhe Z. Servet Gura, zhvilluan një vizitë zyrtare në Republikën e Maltës
3–6 prill 2026
Maltë
Me ftesë të Imzot George Frendo, Arqipeshkëv Emeritus i Tiranë-Durrësit, Delegacioni i Komitetit, i përbërë nga Kryetari, Z. Klodjan Bulku, dhe Anëtarët, Znj. Erinda Jova, dhe Z. Servet Gura, zhvilluan një vizitë zyrtare në Maltë, me qëllim forcimin e marrëdhënieve institucionale dhe fetare, njohjen me jetën kishtare dhe shoqërore në Maltë, si dhe shkëmbimin e përvojave mbi bashkëjetesën dhe dialogun ndërfetar.
Kryetari dhe Anëtarët e Komitetit, zhvilluan një takim në Arqidioqezën e Maltës me Arqipeshkvin Imzot Charles Jude Scicluna. Takimi u karakterizua nga një shkëmbim i frytshëm përvojash mbi dialogun ndërfetar, ku delegacioni shqiptar prezantoi modelin e bashkëjetesës fetare në Shqipëri si një shembull unik i harmonisë dhe tolerancës. Një rol të rëndësishëm në këtë takim pati edhe Prof. Joseph Ellul O.P., ekspert i njohur në fushën e studimeve islame dhe dialogut ndërfetar, i cili kontribuoi me përvojën e tij akademike dhe ndërkombëtare në diskutimet mbi marrëdhëniet ndërfetare.
Në vijim të programit, Delegacioni i Komitetit zhvilloi vizita në Bazilikën e Shën Dominikut dhe Porto Salvo, si dhe në muzeun e Kuvendit Domenikan në Valletta, të shoqëruar nga Atë Joseph Ellul. Gjithashtu, u realizua një vizitë në Bazilikën e Shën Palit, për t’u njohur nga afër me trashëgiminë fetare dhe kulturore të vendit.
* * *
Në ditën e dytë të takimeve, Përfaqësuesit e Komitetit morën pjesë në aktivitetet e festës së Pashkëve dhe zhvilluan takime me përfaqësues të Kishës Katolike dhe komunitetit shqiptar në Maltë. Delegacioni mori pjesë në procesionin tradicional të Pashkëve në Gżira, ku u evidentua përfshirja e gjerë e komunitetit dhe dimensioni kulturor e fetar i kësaj feste. Aktiviteti u u zhvillua në një atmosferë bashkimi dhe përkushtimi, i shoqëruar nga elementë artistikë dhe muzikorë. Gjatë kësaj dite, u zhvilluan takime me klerin vendas, ku u diskutua mbi rolin e institucioneve fetare në promovimin e harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare. Delegacioni i Komitetit realizoi gjithashtu vizita në Katedralen e Shën Gjonit (St. John’s Co-Cathedral) dhe në qytetin historik të Mdina, duke u njohur me trashëgiminë kulturore dhe historike të Maltës.
Një moment i rëndësishëm ishte takimi me Misionin Katolik Shqiptar në Maltë, ku u zhvillua një bashkëbisedim me besimtarët shqiptarë mbi nevojat pastorale dhe sociale të diasporës, si dhe mbi ruajtjen e identitetit fetar dhe kulturor.
* * *
Në ditën e fundit të vizitës zyrtare në Maltë, Kryetari dhe Anëtarët e Komitetit, Z. Klodjan Bulku, Znj. Erinda Jova, dhe Z. Servet Gura, zhvilluan takimin përmbyllës me Imzot George Frendo, Arqipeshkëv Emeritus i Tiranë-Durrësit.
Në këtë takim përmbyllës u bë një vlerësim i përgjithshëm i vizitës, duke u theksuar rëndësia e vazhdimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërfetar. Kryetari dhe Anëtarët e Komitetit prezantuan veprimtarinë e Komitetit Shtetëror për Kultet, panoramën fetare në Shqipëri, si dhe modelin e njohur të harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare. Gjithashtu, u evidentua roli i KSHK-së në përfaqësimin dhe promovimin e vlerave shqiptare në arenën ndërkombëtare. Nga ana tjetër, palët shprehën gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe për zhvillimin e iniciativave të përbashkëta në të ardhmen.
Përfaqësuesit e Komitetit u shoqëruan në të gjitha takimet zyrtare nga Konsullja e Nderit e Shqipërisë në Maltë, znj. Joanne Portelli, ku u vlerësua gatishmëria dhe kontributi i saj i çmuar në bashkëpunimet me institucionet dhe përfaqësuesit vendas.