Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, Z. Klodjan Bulku dhe Anëtarja e Komitetit, Znj. Valbona Duri, morën pjesë në Forumin Europian Ndërfetar dhe Dialogun Rajonal Shumëpalësh “Shared Sacred Flourishing – Lulëzimi i Përbashkët Shpirtëror”.
21 korrik 2026
Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, Z. Klodjan Bulku, dhe Anëtarja e Komitetit, Znj. Valbona Duri, morën pjesë në Forumin Europian Ndërfetar dhe Dialogut Rajonal Shumëpalësh “Shared Sacred Flourishing – Lulëzimi i Përbashkët Shpirtëror”, të organizuar nga Religions for Peace International, Religions for Peace Europe dhe European National Interreligious Bodies, në bashkëpunim me Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë – Religions for Peace Albania, komunitetet fetare dhe partnerë kombëtarë e lokalë.
Në fjalën e tij, Kryetari i KSHK-së, Z. Bulku, vuri në dukje faktin se ky forum i rëndësishëm që bëri së bashku përfaqësues të traditave fetare, institucioneve dhe shoqërisë civile nga vende të ndryshme, ka si synim kryesor “përsosjen e njeriut” nëpërmjet forcimit të dialogut, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit për të mirën e shoqërive tona. “Në një kohë kur bota përballet me sfida të shumta që shpesh krijojnë ndarje dhe mosbesim, vendi ynë përbën një shembull të gjallë të promovimit të këtyre vlerave, duke dëshmuar përmes bashkëjetesës dhe dialogut ndërfetar rëndësinë e respektit, harmonisë dhe mirëkuptimit reciprok’, – tha ai.
Më tej, Kryetari i Komitetit e vuri theksion tek kontributi i vazhdueshëm i krerëve fetare, duke shprehur mirënjohje për këtë fakt dhe duke nënvizuar se falë këtij kontributi të rëndësishëm “bashkëjetesa ndërmjet besimeve fetare është një vlerë e çmuar e shoqërisë sonë, një trashëgimi që është ruajtur ndër vite përmes respektit të ndërsjellë, mirëkuptimit e bashkëpunimit dhe që tashmë me krenari e them, që i ka kapërcyer kufijtë kombëtarë dhe është bërë shembull për mbarë botën.”
- Bulku siguroi gjithashtu se Institucioni që ai drejton, Komiteti Shtetëror për Kultet do të mbetet i përkushtuar për të mbështetur çdo iniciativë që forcon dialogun ndërfetar dhe bashkëpunimin mes komuniteteve, si dhe për të garantuar një mjedis ku liria e besimit dhe respekti i ndërsjellë janë vlera të patjetërsueshme. “Jam i bindur se ky forum do të shërbejë jo vetëm si një hapësirë reflektimi dhe shkëmbimi përvojash, por edhe si një mundësi për të ndërtuar iniciativa konkrete që do t’i shërbejnë mbarë botës” – theksoi ai në fund të fjalës së tij.
Forumi u zhvillua në Sallën e Muzeut të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, ku përshëndetën po ashtu: znj. Deepika Singh, Zëvendës-sekretare e Përgjithshme e Religions for Peace International; Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë dhe Kryegjysh Botëror i Bektashinjve; H. Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë; Fortlumturia e Tij Joani, Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë; Mons. Gjergj Meta, President i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë; Pastor Erion Sylari, Kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë; si dhe Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, President i Religions for Peace Europe dhe Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.
Në këtë aktivitet morën pjesë gjithashtu përfaqësues të këshillave ndërfetarë, komuniteteve fetare, institucioneve publike, botës akademike dhe shoqërisë civile nga shtatë vende europiane: nga Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Finlanda, Gjermania, Greqia, Italia dhe Spanja.