Komiteti Shtetëror për Kultet

Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, Z. Klodjan Bulku, së bashku me Anëtarët Znj. Erinda Jova, Z. Servet Gura dhe Z. Lirim Neziraj, zhvilluan një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës.

3 – 5 nëntor 2025

Kosovë

Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, Z. Klodjan Bulku, së bashku me Anëtarët Znj. Erinda Jova, Z. Servet Gura dhe Z. Lirim Neziraj, zhvilluan një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës.

 

Në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Kosovës, delegacioni i Komitetit Shtetëror për Kultet, zhvilloi një takim njohës me Ipeshkvin e Kosovës, Imzot Dodë Gjergji. Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe mirëkuptimi të ndërsjellë, duke reflektuar frymën e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shtetërore dhe përfaqësuesve të komuniteteve fetare.

Gjatë takimit, Imzot Dodë Gjergji bëri një prezantim të detajuar mbi mënyrën e organizimit të Ipeshkvisë së Kosovës, strukturën e saj të brendshme dhe ndarjen në famulli. Ai theksoi se marrëdhëniet ndërmjet Ipeshkvisë dhe institucioneve shtetërore të Kosovës dhe bashkësive të tjera fetare janë të mira dhe zhvillohen mbi bazën e dialogut dhe bashkëpunimit institucional.

Nga ana e tij, Kryetari Komitetit Shtetëror për Kultet, Z. Klodjan Bulku prezantoi misionin dhe rolin e Institucionit, duke nënvizuar funksionin e tij si strukturë bashkërenduese ndërmjet shtetit dhe bashkësive fetare që kanë nënshkruar marrëveshje me shtetin shqiptar. Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së dialogut ndërfetar dhe të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Ai shtoi më tej se këto takime janë të rëndësishme për vendosjen e forcimin e kontakteve me institucionet homologe dhe ato fetare në Kosovë, më qëllim shkëmbimin e eksperiencave institucionale, si dhe ndërtimin e urave të bashkëpunimit të mëtejshëm në fushat me rëndësi për të dyja palët.

Pas takimit zyrtar, nën shoqërinë e Imzot Dodë Gjergjit u zhvillua një vizitë në Katedralen “Nëna Terezë” në Prishtinë, ku u njohëm me historinë e ndërtimit të katedrales si dhe domethënien simbolike të vitrazheve që zbukurojnë ambientin e saj të brendshëm. Vizita vijoi me ndalesën në bibliotekën e katedrales, një hapësirë e pasur me literaturë të gjerë teologjike dhe kulturore, e cila vihet në dispozicion të komunitetit për qëllime studimore dhe edukative. Gjithashtu, u vizituan edhe disa ambiente të tjera që shërbejnë për aktivitetet e komunitetit, përfshirë një hapësirë sportive për të rinjtë dhe mensen e cila mbështet shtresat në nevojë dhe kontribuon në jetën shoqërore të komunitetit.

Më pas përfaqësuesit e Komitetit zhvilluan disa vizita njohëse në objektet e kultit të besimeve të ndryshme, të cilat kategorizohen si monumentet kulture, duke u njohur me historikun e tyre dhe vlerat që ato përfaqësojnë.

*          *          *

Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Republikën e Kosovës, Kryetari i KSHK-së, Z. Klodjan Bulku, Anëtarët Znj. Erinda Jova, Z. Servet Gura dhe Z. Lirim Neziraj, zhvilluan takime në Gjakovë. Delegacioni shqiptar, kreu një vizitë në Gjyshatën e Gjakovës, ku u prit nga Dervishi i Gjyshatës së Gjakovës. Gjatë këtij takimi, Dervish Rauf Radoniqi informoi mbi historikun e themelimit dhe zhvillimit të Teqesë Bektashiane të Gjakovës, duke theksuar rolin e saj të rëndësishëm në jetën shpirtërore dhe shoqërore të komunitetit. Ai e vuri theksin te rëndësia historike dhe shpirtërore e kësaj qendre fetare, si dhe roli i saj në promovimin e harmonisë, solidaritetit dhe bashkëjetesës ndërfetare në komunitet. Gjitahshtu ai, shtoi se, në vitin 1999, gjatë luftës, Teqeja, Tyrbeja dhe Biblioteka Bektashiane e Gjakovës u dogjën plotësisht. Pas përfundimit të luftës, po atë vit u rindërtua Tyrbeja, ndërsa në vitin 2007, në mandatin e Baba Muminit, u rindërtua edhe Teqeja, duke u rikthyer si qendër shpirtërore dhe kulturore e rëndësishme.

Takimi në Gjyshatën e Gjakovës u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, duke reflektuar respektin e ndërsjellë dhe dëshirën për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërinstitucional.

*          *          *

Pas vizitës në Gjyshatë, delegacioni shqiptar zhvilloi një takim me Atë Aleksandrin, famullitarin e Gjakovës. Fillimisht, ata u pritën në Kishën e Shën Palit dhe Shën Pjetrit, ku Atë Aleksandri dha një përshkrim të detajuar mbi historikun e ndërtimit të kishës, domethënien e vitrazheve dhe veçantitë e saj arkitekturore. Kjo Kishë i përket urdhrit françeskan dhe përfaqëson një qendër të rëndësishme shpirtërore për komunitetin katolik të Gjakovës.

Në vijim, delegacioni vizitoi edhe Kishën e Shna Ndout (Shën Antonit të Padovës), ku u njoh nga afër me historikun dhe vlerat e saj.

Takimi me Atë Aleksandrin u karakterizua nga mirëpritja dhe vlerësimi i ndërsjellë, si dhe nga gatishmëria për të forcuar urat e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve fetare dhe atyre shtetërore.

*          *          *

Vizitat dhe takimet e zhvilluara në kuadër të kësaj vizite zyrtare në Kosovë shërbyen për të thelluar njohjen me strukturat dhe traditat fetare të vendit, për të forcuar marrëdhëniet ndërmjet institucioneve fetare dhe shtetërore, si dhe për të promovuar dialogun dhe harmoninë ndërfetare.
Të gjitha takimet u zhvilluan në një frymë respekti, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi, duke dëshmuar vullnetin e ndërsjellë për vazhdimin e bashkëpunimit në të ardhmen.

Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, Z. Klodjan Bulku, së bashku me Anëtarët Z. Servet Gura, Z. Lirim Neziraj dhe Znj. Erinda Jova, zhvilluan një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës.