Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, Z. Klodjan Bulku dhe anëtarët Znj. Jova dhe Z. Gura, zhvilluan disa takime në Republikën e Gjermanisë (Hamburg).
22-25 nëntor 2025
Hamburg, Gjermani
Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, Z. Klodjan Bulku dhe anëtarët Znj. Jova dhe Z. Gura, zhvilluan disa takime në Republikën e Gjermanisë (Hamburg).
Delegacioni i Komitetit Shtetëror për Kultet, i kryesuar nga Z. Bulku, Kryetar i Komitetit, dhe i përbërë nga Znj. Erinda Jova, përgjegjëse për marrëdhëniet me Kishën Katolike në Shqipëri, dhe Z. Servet Gura, përgjegjës për marrëdhëniet me Komunitetin Mysliman, zhvilloi një vizitë zyrtare pranë Misionit Katolik Shqiptar në Hamburg, Gjermani.
Vizita me karakter njohës dhe përforcues të bashkëpunimit, synoi thellimin e komunikimit me strukturat fetare shqiptare në diasporë, vlerësimin e rolit të tyre në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe kulturor, forcimin e lidhjeve ndërinstitucionale dhe mbështetjen e dialogut ndërfetar.
Delegacioni i KSHK-së mori pjesë në Meshën e Shenjtë të kremtuar nga Misioni Katolik Shqiptar, ku u prit me respekt institucional nga drejtuesit fetarë dhe nga përfaqësues të komunitetit shqiptar në Hamburg. Në emër të Misionit, Dom Izak Doda shprehu mirënjohjen për praninë e delegacionit dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të lidhjeve me institucionet e Republikës së Shqipërisë.
Konsulli i Nderit, Z. Kolë Gjoka, vlerësoi rolin e vizitës në forcimin e bashkëpunimit dhe në mbështetjen e komunitetit shqiptar të integruar në Gjermani.
Në fjalën e mbajtur, Z. Bulku vlerësoi kontributin e Misionit në ruajtjen e vlerave fetare, gjuhësore dhe kulturore të shqiptarëve në Hamburg, duke theksuar se Misioni përbën një qendër të rëndësishme shpirtërore dhe komunitare për diasporën. Ai rikujtoi rolin e Komitetit në nxitjen e harmonisë ndërfetare si vlerë kombëtare. Znj. Jova evidentoi marrëdhëniet shumëvjeçare të bashkëpunimit ndërmjet shtetit dhe Kishës Katolike në Shqipëri, si dhe rëndësinë e shkëmbimit të përvojave me komunitetet jashtë vendit.
Në përfundim të takimit, delegacionit iu dhurua një kujtim simbolik, një fotografi historike nga vizita e Shën Nënë Terezës në Hamburg më 4 prill 1989, si shenjë e vlerësimit dhe respektit për lidhjet shpirtërore të komunitetit me figurat e shenjta shqiptare.
* * *
Ditën tjetër të vizitës zyrtare, Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, Z. Klodjan Bulku dhe anëtarët Znj. Jova dhe Z. Gura, zhvilluan takime në Qendrën Kulturore Islamo-Shqiptare të Hamburgut. Delegacioni u prit nga drejtuesit e bordit dhe imami i Xhamisë Samet Nasëri. Gjatë takimit, drejtuesit e qendrës dhe imami i xhamisë bënë prezantimin me misionin, vizionin dhe programet kryesore të institucionit, të fokusuara në promovimin e identitetit kulturor shqiptar dhe vlerave islame, forcimin e dialogut ndërkulturor dhe ndërfetar, zhvillimin e kurseve të gjuhës shqipe, organizimin e aktiviteteve komunitare, përgatitjen e mbrëmjeve kulturore me pjesëmarrje nga trevat shqiptare. Drejtuesit e komunitetit islam informuan gjithashtu, se janë rreth 3000 anëtarë që marrin shërbime që ofron Qendra.
Gjatë diskutimeve, Kryetari i Komitetit dhe Z. Gura prezantuan misionin institucional të Komitetit Shtetëror për Kultet, ku theksuan garantimin e së drejtës të lirisë së besimit, ushtrimin e funksionit rregullator dhe bashkërendimin e marrëdhënieve midis shtetit dhe bashkësive fetare. U nënvizua gjithashtu roli i Komitetit në promovimin e modelit shqiptar të bashkëjetesës fetare brenda dhe jashtë vendit.
Përfaqësuesit e Qendrës shprehën vlerësim për vizitën e delegacionit të KSHK-së, duke e konsideruar atë një sinjal të rëndësishëm të kujdesit dhe mbështetjes së shtetit shqiptar ndaj komunitetit në diasporë.
* * *
Në fund të vizitës në Hamburg, delegacioni i KSHK-së zhvilloi vizita në disa objekte të rëndësishme të kultit në qytetin e Hamburgut. Si pjesë e programit zyrtar, dita e fundit e vizitës iu dedikua tërësisht njohjes me këto institucione fetare, me qëllim njohjen nga afër të veprimtarive të tyre dhe forcimin e bashkëpunimit me komunitetin shqiptar në diasporë.
Vizita zyrtare e delegacionit të KSHK-së në Hamburg shërbeu për të konsoliduar marrëdhëniet me komunitetin shqiptar të besimeve të ndryshme dhe për të promovuar bashkëpunimin institucional në funksion të forcimit të dialogut ndërfetar dhe të vlerave kulturore shqiptare. Takimet konfirmuan rëndësinë e rolit të Komitetit Shtetëror të Kulteve në mbështetjen e diasporës dhe në ruajtjen e traditave fetare e kulturore shqiptare. Të gjitha takimet u zhvilluan në një frymë respekti, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi, duke dëshmuar vullnetin e ndërsjellë për vazhdimin e bashkëpunimit në të ardhmen.