Komiteti Shtetëror për Kultet

Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, Z. Klodjan Bulku mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare: “Kryepiskopi Anastas, madhështia në të bërët dhe në të mësuarit”.

22 janar 2026

Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, Z. Klodjan Bulku ishte i ftuar sot në Konferencën Ndërkombëtare: “Kryepiskopi Anastas, madhështia në të bërët dhe në të mësuarit”, në nder të kujtimit të bekuar të Kryepiskopit të ndjerë të Shqipërisë, Anastasit, të organizuar në mjediset e Kolegjit Universitar “Logos” në Tiranë.

Nën kujdesin e veçantë të Fortlumturisë së Tij, Joanit, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Konferenca Ndërkombëtare Shkencore mblodhi Arqipeshkvin e Kishës Katolike, Shkëlqesinë e Tij Arjan Dodaj, Kryegjyshin Botëror Bektashian, Shenjtërinë e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryetarin e Vëllazërisë Ungjillore, Erjon Sylari, Patriarkun Ekumenik, Ambasadoren e Greqisë, znj. Lambrini Komini, si dhe personalitete të tjera të Dioqezave, Kishave dhe Mitropolive të vendeve të ndryshme evropiane e amerikane.

Në këtë aktivitet të rëndësishëm përkujtimor, Kryepiskopi Joan, në fjalën e tij vuri në dukje se “jeta dhe vepra e Kryepiskopit të ndjerë të Shqipërisë, Anastasit, janë një shembull i gjallë dhe frymëzim i vazhdueshëm, jo vetëm për ne sot, por edhe për brezat që do të vijnë”, duke rikujtuar me këtë rast fjalët e tij në lidhje me vizionin e Orthodhoksisë: “Kur e mendoj Orthodhoksinë në shekujt që vijnë, e ëndërroj të hapur ndaj zhvillimit, ndaj kushteve të reja të krijuara nga shkenca, arti dhe teknologjia. Vendi i Orthodhoksisë nuk është në një hapësirë jashtë historisë, por në qendrën e brumosjeve sociale, në pararojë të progresit…”.

Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, Z. Klodjan Bulku mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare: “Kryepiskopi Anastas, madhështia në të bërët dhe në të mësuarit”