Komiteti Shtetëror për Kultet

Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, Z. Klodjan Bulku dhe Anëtarja Znj. Erinda Jova morën pjesë në Konferencën Ndërkombëtare me temë “Gratë, Lidership dhe Dialog: Ura midis Dijes, Kulturave dhe Shoqërisë”.

6 mars 2026 Romë, Itali

Të ftuar në Konferencën Ndërkombëtare me titull “Gratë, Lidership dhe Dialog: Ura midis Dijes, Kulturave dhe Shoqërisë”, të organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, Z. Klodjan Bulku dhe Anëtarja, Znj. Erinda Jova, morën pjesë sot në këtë aktivitet të rëndësishëm promovues, me qëllim evidentimin e vlerave të bashkëjetesës tradicionale fetare shqiptare në një forum ndërkombëtar, në përputhje me misionin institucional të Komitetit, për të mbrojtur dhe promovuar dialogun ndërfetar, ndërkulturor dhe shoqëror.

Në këtë konferencë, të zhvilluar në ambientet e Senatit të Republikës Italiane, në Romë, përfaqësuesit e Komitetit Shtetëror për Kultet përcollën mesazhet e vyera të rëndësisë së shkëmbimit të përvojave dhe forcimit të bashkëpunimit institucional me aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë, si dhe të evidentimit të rolit të gruas në ndërtimin e urave të dialogut dhe të një shoqërie më gjithëpërfshirëse.

Të pranishëm në konferencë ishin Ambasadorja e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, znj. Majlinda Frangaj, si dhe Prefekti i Dikasterit për Dialogun Ndërfetar, kardinali George Jacob Koovakad, të cilët çelën aktivitetin me përshëndetjet e tyre institucionale, si dhe mjaft personalitete të jetës publike, ndër të cilët zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Klodiana Spahiu, ish-Kryetarja e Kuvendit, deputetja znj. Jozefina Topalli, si dhe zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, znj. Marinela Prifti.

Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, Z. Klodjan Bulku dhe Anëtarja Znj. Erinda Jova morën pjesë në Konferencën Ndërkombëtare me temë “Gratë, Lidership dhe Dialog: Ura midis Dijes, Kulturave dhe Shoqërisë”