Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, z. Klodjan Bulku u prit sot nga Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu.
10 nëntor 2021
Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, z. Klodjan Bulku u prit sot nga Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu.
Në mjediset e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, z. Klodjan Bulku zhvilloi sot një takim të parë prezantues institucional me Kryetarin e KMSH-së, H. Bujar Spahiu.
Pasi falënderoi Kreun e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për pritjen e ngrohtë, Kryetari i KSHK-së, z. Bulku shprehu gatishmërinë e tij për një bashkëpunim të ndërsjellë institucional sa më të frytshëm, në dobi të shoqërisë në tërësi dhe besimtarëve myslimanë në veçanti. Ai siguroi gjithashtu se, institucioni që ai drejton, do të vazhdojë të jetë ndihmues e bashkërendues i marrëdhënieve me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë.
Të dy bashkëbiseduesit ndanë mendime të përbashkëta mbi rëndësinë e garantimit të lirisë së besimit, e mirëkuptimit dhe tolerancës ndërfetare në Shqipëri.
Në këtë takim ishin të pranishëm Anëtari i Komitetit Shtetëror për Kultet z. Servet Gura, Kancelari i KMSH-së, z. Ylli Cikalleshi, si dhe Drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë të KMSH-së, z. Fejzi Shaholli.