Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, Z. Klodjan Bulku mori pjesë në Konferencën Ministrore tre ditore të Aleancës Ndërkombëtare për Lirinë Fetare/Besimit.
28-30 nëntor 2023
Pragë, Çeki
Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, Z. Klodjan Bulku mori pjesë në Konferencën Ministrore tre ditore të Aleancës Ndërkombëtare për Lirinë Fetare/Besimit.
Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, Z. Klodjan Bulku përfaqësoi Shqipërinë në Pragë, në Konferencën Ministrore tre ditore të Republikës Çeke të Aleancës Ndërkombëtare për Lirinë Fetare/Besimit (International Religious Freedom or Belief Alliance Ministerial Conference), me temë “Liria e Besimit në Regjimet Autoritare”.
Qëllimi i kësaj konference ishte krijimi i mënyrave të reja të diskutimeve, në mënyrë që të rritet ndërgjegjësimi për diversitetin, njohjen reciproke, barazinë dhe lirinë e fesë/besimit, si dhe për angazhimin e të rinjve dhe gruas në luftën për liri fetare.
Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, Z. Klodjan Bulku, pjesë e delegacioneve shtetërore pjesëmarrëse, gjatë takimeve të zhvilluara dhe me komisionerët specialë, ekspertët dhe figura të tjera të shquara diskutoi veçanërisht për keqpërdorimin e fesë për qëllime politike dhe jetën fetare në epokën e mbikqyrjes dixhitale. Gjithashtu, në këto bisedime u shkëmbyen përvojat e secilës palë, duke e vënë theksin në rëndësinë e bashkëpunimit reciprok, të përçimit të vlerave njerëzore e fetare.
Kjo konferencë, e organizuar nga Përfaqësuesi Special për Holokaustin, Dialogun Ndërfetar dhe Lirinë Fetare, Instituti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe partnerë të tjerë, bashkoi ish-kryeministra, ministra, ambasadorë, klerikë dhe ekspertë për çështjet fetare dhe të besimit nga 42 vende të botës, 37 vende të aleancës IRFBA, dhe 3 vende vëzhguese.