Anëtarët e Komitetit Shtetëror për Kultet, Z. Servet Gura dhe Z. Lirim Neziraj zhvilluan takime zyrtare me drejtues të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra” në Nju Jork, SHBA.

13-18 maj 2025
Nju Jork
SHBA
Anëtarët e Komitetit Shtetëror për Kultet, Z. Servet Gura dhe Z. Lirim Neziraj zhvilluan takime zyrtare me drejtues të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra” në Nju Jork, SHBA.
Delegacioni shqiptar u prit në Selinë e Vatrës në New York, nga një ndër figurat emblemë të kësaj organizate, me mbi 45 vite kontribut të vazhdueshëm për çështjen kombëtare në mërgatën shqiptare të Amerikës, Z. Marjan Cubi, nga anëtari i Kryesisë së Vatrës, Z. Ilir Cubi, si dhe nga Z. Sokol Paja, editor i gazetës “Dielli”.
Gjatë takimit, Z. Ilir Cubi mbajti një fjalë mirëseardhjeje ku prezantoi historikun e lavdishëm të Federatës “Vatra” dhe të gazetës “Dielli”, e cila që prej vitit 1909 ka qenë zëri i bashkuar i shqiptarëve në Amerikë. Ai theksoi rolin thelbësor të Vatrës në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar ndër brezat e mërgatës, si dhe kontributin e saj historik në mbështetje të pavarësisë së Shqipërisë, të diplomacisë kombëtare dhe të qëndrueshmërisë së institucioneve shqiptare në kohë kritike.
Përfaqësuesit e Vatrës ndanë gjithashtu informacion rreth mbështetjes konkrete që ofrojnë për shkollat shqipe në disa shtete amerikane si Florida, Connecticut, New Jersey, etj., ku nëpërmjet dhurimit të abetareve, literaturës në shqip dhe simboleve kombëtare, ndihmojnë në edukimin gjuhësor dhe atdhetar të fëmijëve shqiptarë në diasporë.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Komitetit Shtetëror për Kultet vlerësuan me mirënjohje rolin e Federatës “Vatra” si një institucion atdhetar, që ka ditur të ruajë me përkushtim trashëgiminë gjuhësore, shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve në mërgatë. Z. Gura dhe Z. Neziraj theksuan se kontributi i Vatrës është një vlerë e çmuar jo vetëm për diasporën, por për gjithë kombin shqiptar, dhe shprehën gatishmërinë e KSHK-së për të forcuar bashkëpunimin institucional në funksion të ruajtjes së identitetit kombëtar dhe të promovimit të bashkëjetesës ndërfetare shqiptare si një model unik dhe frymëzues në kontekstin ndërkombëtar.
