Komiteti Shtetëror për Kultet

Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, Z. Klodjan Bulku, dhe Anëtari Z. Servet Gura, zhvilluan takime me Kryesinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar të Zvicrës, me përfaqësues të diasporës shqiptare dhe klerikë shqiptarë që ofrojnë shërbime fetaro-kulturore në Zyrih të Zvicrës.

16-19 shkurt 2025, Zyrih, Zvicër

Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, Z. Klodjan Bulku, dhe Anëtari Z. Servet Gura, zhvilluan takime me Kryesinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar të Zvicrës, me përfaqësues të diasporës shqiptare dhe klerikë shqiptarë që ofrojnë shërbime fetaro-kulturore në Zyrih të Zvicrës.

 

Në kuadër të ndërtimit të urave të komunikimit dhe bashkëpunimit me përfaqësuesit e diasporës shqiptare në Zvicër, si dhe promovimit të bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare shqiptare, Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, Z. Klodjan Bulku, dhe Anëtari Z. Servet Gura, nisën vizitën zyrtare me takimin me Kryesinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar të Zvicrës, të kryesuar nga Z. Mehas Alija.

Në takimin e zhvilluar në selinë e këtij komuniteti, Kryetari i Komitetit, Z. Bulku bëri një prezantim të shkurtër të veprimtarisë së KSHK-së, si institucion qendror shtetëror, duke theksuar se Komiteti vijon të luajë një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet me besimet fetare në Shqipëri duke punuar fuqimisht për garantimin e lirisë së besimit dhe për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të ndërsjellë, mirëkuptimit dhe bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri, duke respektuar laicitetin, duke qenë asnjanës në çështjet e besimit, duke njohur barazinë e bashkësive fetare dhe duke respektuar pavarësinë e tyre. Gjithashtu, përfaqësuesit e KSHK-së vunë në dukje rolin e rëndësishëm që ka luajtur shteti shqiptar në ringritjen dhe konsolidimin e institucioneve fetare në Shqipëri, me legjitimitetin e institucioneve fetare, duke hartuar ligje dhe akte nënligjore në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me Konventat Ndërkombëtare që garantojnë liritë e të drejtave të njeriut.

Nga ana e tij, Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar të Zvicrës, Z. Mehas Alija, pasi vlerësoi arritjet institucionale të KSHK-së, paraqiti sfidat me të cilat ndeshen komunitetet fetare jashtë vendit, duke kërkuar shkëmbime më shpeshta të eksperiencave më të mira, bashkëpunim më të gjerë ndërinstitucional si dhe përforcim të marrëdhënieve ndërmjet Komunitetit Mysliman Shqiptar në Zvicër dhe institucionit të Komitetit Shtetëror për Kultet. Ndër të tjera, pjesë e bisedës ishin edhe rëndësia e konsolidimit të institucioneve fetare dhe roli që ato luajnë në edukimin e shoqërisë me vlerat fetaro-kulturore.

Pas takimit me Kryetarin e Komunitetit Mysliman Shqiptar të Zvicrës, përfaqësuesit e KSHK-së zhvilluan një takim më të zgjeruar me përfaqësues të diasporës dhe anëtarë të kryesisë së këtij komuniteti. Përfaqësuesit e diasporës e vunë theksin te organizimi dhe funksionimi i diasporës shqiptare në Zvicër dhe shpjeguan në mënyrë të detajuar angazhimin dhe përpjekjet e tyre për mbajtjen gjallë dhe rijetëzimin e vlerave, traditës, gjuhës dhe kulturës shqiptare ndër rreth 500 mijë shqiptarëve që jetojnë në Zvicër, përmes aktiviteteve sociale, kulturore e fetare që ata organizojnë.

Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, Z. Klodjan Bulku, dhe Anëtari Z. Servet Gura, patën gjithashtu mundësinë të zhvillonin takime me klerikë të ndryshëm dhe të shikonin nga afër e të vizitonin objekte të kultit të besimeve të ndryshme.

Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, Z. Klodjan Bulku, dhe Anëtari Z. Servet Gura, zhvilluan takime me Kryesinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar të Zvicrës, me përfaqësues të diasporës shqiptare dhe klerikë shqiptarë që ofrojnë shërbime fetaro-kulturore në Zyrih të Zvicrës.