Anëtarët e Komitetit Shtetëror për Kultet, Z. Servet Gura dhe Z. Lirim Neziraj zhvilluan takime zyrtare me drejtuesit e “North East Islamic Community Center”, me seli në New Jersey, SHBA.

13-18 maj 2025
New Jersey
SHBA
Anëtarët e Komitetit Shtetëror për Kultet, Z. Servet Gura dhe Z. Lirim Neziraj zhvilluan takime zyrtare me drejtuesit e “North East Islamic Community Center”, me seli në New Jersey, SHBA.
Anëtarët e Komitetit Shtetëror për Kultet, Z. Servet Gura dhe Z. Lirim Neziraj, zhvilluan takime me drejtuesit e “North East Islamic Community Center”, me seli në New Jersey dhe me komunitetin shqiptar në New Jersey, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në qendër të të cilave ishte njohja nga afër me aktivitetet fetaro-kulturore të ofruara për besimtarët shqiptarë të diasporës, krijimi i urave të bashkëpunimit me këto institucione dhe promovimi i bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare shqiptare si një model dhe vlerë e shtuar.
Takimi i parë u zhvillua me Kryetarin e Bordit Drejtues të “North East Islamic Community Center”, me seli në Wayne, New Jersey, Z. Sinan Alimi, dhe Drejtorin e kësaj qendre, Imamin Z. Gazmend Aga. Pas një prezantimi të hapësirave të institucionit nga ana e pritësve, takimi vijoi me një përshkrim të aktiviteteve fetare dhe socio-kulturore të zhvilluara nga kjo qendër.
Gjatë prezantimit të punës së tyre institucionale, Z. Selimi dhe Z. Aga theksuan se, përveç shërbimeve fetare, fokusi kryesor i aktivitetit të qendrës është edukimi, veçanërisht përmes mësimdhënies së gjuhës shqipe, historisë dhe kulturës kombëtare shqiptare. Ata theksuan rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar dhe edukimin e brezit të ri përmes aktiviteteve të ndryshme sociale dhe kulturore. Programi i rregullt i mësimit të gjuhës shqipe në këtë qendër realizohet nga mësues profesionistë, ndërsa institucioni i kushton vëmendje e veçantë edhe zhvillimit të aktiviteteve të tjera komunitare.
Biseda vijoi me prezantimin e aktivitetit të Komitetit Shtetëror për Kultet dhe rolit të tij në garantimin e lirisë së besimit dhe promovimin e bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri. U diskutua gjithashtu mundësia e organizimit të aktiviteteve të përbashkëta në dobi të diasporës shqiptare dhe më gjerë.
Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e ndërtimit të bashkëpunimit institucional dhe u diskutuan sfidat dhe mundësitë për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy institucioneve, me synim promovimin e modelit të bashkëjetesës shqiptare dhe mbajtjen gjallë të kulturës dhe vlerave kombëtare. Anëtarët e Komitetit shprehën gatishmërinë për të kontribuar dhe punuar që këto vlera të trashëgohen te brezat e ardhshëm, ashtu siç janë trashëguar nga të parët tanë, por edhe të promovohen si një model pozitiv për mbarë botën. Për KSHK-në, vendosja e kontakteve dhe ndërtimi i urave të bashkëpunimit me diasporën shqiptare mbetet një përparësi e veçantë.
* * *
Takimi me komunitetin në New Jersey
Pas takimit me drejtuesit e qendrës, përfaqësuesit e Komitetit Shtetëror për Kultet zhvilluan një takim më të gjerë me qytetarë dhe familjarë shqiptarë që frekuentojnë këtë qendër. Gjatë këtij takimi, përfaqësuesit e diasporës theksuan rëndësinë e aktivitetit të qendrës dhe shprehën kënaqësinë për organizimin dhe funksionimin e saj si një qendër komunitare për shqiptarët në New Jersey.
Ata informuan në mënyrë të detajuar mbi përpjekjet e tyre për ruajtjen dhe rikthimin në jetë të vlerave, traditës, gjuhës dhe kulturës shqiptare ndër rreth 1500 familje shqiptare që marrin pjesë në aktivitetet sociale, kulturore dhe fetare që organizohen në këtë qendër. Gjithashtu, ata shprehën falënderimet për vizitën e delegacionit dhe interesimin e treguar për komunitetin shqiptar të diasporës.


