Komiteti Shtetëror për Kultet

Kushtetuta e Shqipërisë Nenet mbi lirinë e fesë

Neni 10:

  1. Në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare. 
  2. Shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe garanton lirinë e shprehjes së tyre në jetën publike. 
  3. Shteti njeh barazinë e bashkësive fetare. 
  4. Shteti dhe bashkësitë fetare respektojnë në mënyrë të ndërsjelltë pavarësinë e njëritjetrit dhe bashkëpunojnë në të mirë të secilit dhe të të gjithëve. 

  5. Marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe bashkësive fetare rregullohen mbi bazën e marrëveshjeve të lidhura ndërmjet përfaqësuesve të tyre dhe Këshillit të Ministrave. Këto marrëveshje ratifikohen në Kuvend.

  6. Bashkësitë fetare janë persona juridikë. Ato kanë pavarësi në administrimin e pasurive të tyre sipas parimeve, rregullave dhe kanoneve të tyre, për sa nuk cënohen interesat e të tretëve.

Kushtetuta

Neni 18:

  1. Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.
  2. Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësia prindërore.
  3. Askush nuk mund të diskriminohet për shkaqet e përmendura në paragrafin 2, nëse nuk ekziston një përligjje e arsyeshme dhe objektive.

Neni 20:

  1. Personat që u përkasin pakicave kombëtare ushtrojnë në barazi të plotë para ligjit të drejtat dhe liritë e tyre.
  2. Ata kanë të drejtë të shprehin lirisht, pa u ndaluar as detyruar, përkatësinë e tyre etnike, kulturore, fetare e gjuhësore. Ata kanë të drejtë t’i ruajnë e zhvillojnë ato, të mësojnë dhe të mësohen në gjuhën e tyre amtare, si dhe të bashkohen në organizata e shoqata për mbrojtjen e interesave dhe të identitetit të tyre.

Neni 24

  1. Liria e ndërgjegjes dhe e fesë eshtë e garantuar.
  2. Secili është i lirë të zgjedhë ose të ndryshojë fenë ose bindjet, si dhe t’i shfaqë ato individualisht ose kolektivisht, në publik ose në jetën private, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve.
  3. Askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet të marrë pjesë në një bashkësi fetare ose në praktikat e saj, si dhe të bëjë publike bindjet ose besimin e tij.

Marrëveshje mes Bashkësive Fetare dhe Shtetit

Marrëdheniet mes Shtetit dhe Bashkësive Fetare rregullohen përmes marrëveshjeve të nënshkruara mes secilës Bashkësi Fetare dhe Këshillit të Ministrave. Këto marrëveshje janë ratifikuar nga Parlamenti dhe janë kthyer në ligje, të renditura kronologjikisht këtu poshtë:

Bashkësitë Fetare financohen nga buxheti i shtetit ne bazë të ligjit nr. 10140, datë 15.05.2009, “Për financimin e bashkësive fetare nga buxheti i shtetit”.

Financimi i Bashkësitve Fetare kryhet çdo vit nëpërmjet Komitetit Shtetëror për Kultet, në bazë të Vendimeve të Këshillit të Ministrave të viteve përkatës.

Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut Nenet mbi lirinë e mendimit dhe besimit

Neni 18: Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe besimit; kjo e drejtë përfshin lirinë e ndryshimit të besimit ose bindjeve dhe lirinë që njeriu, qoftë vetë ose në bashkësi me të tjerët, të shfaqë publikisht ose privatisht, besimin ose bindjen e vet me anë të dhënies së mësimeve, kryerjes së kultit dhe ceremonive fetare.

Neni 19: Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes; kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit pa ndërhyrje, si dhe lirinë e kërkimit, marrjes dhe njoftimit të informacionit dhe ideve me çfarëdo mjeti qoftë, pa marrë parasysh kufijtë.

Karta Evropiane e të Drejtave Fondamentale Neni mbi lirinë e mendimit dhe besimit

Neni 9:

  1. Çdokush ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes e të fesë; kjo e drejtë nënkupton lirinë për të ndryshuar fenë ose besimin dhe lirinë, qoftë individualisht ose kolektivisht, publikisht ose privatisht nëpërmjet kultit, mësimdhënies, praktikave dhe kryerjes së riteve.

  2. Liria e shfaqjes së fesë ose besimeve të dikujt nuk mund t’i nënshtrohet kufizimeve të tjera, përveç atyre të parashikuara nga ligji dhe që përbëjnë masa të nevojshme në një shoqëri demokratike në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, të shëndetit ose të moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve.