Komiteti Shtetëror për Kultet

PROJEKTI:   Evidencimi i objekteve të Kultit

HYRJE

Feja, si një faktor i pasurimit të jetës shpirtërore të njeriut, ka influencuar fuqimisht edhe në jetën dhe traditat e ndryshme të shoqërive.

Historia jonë, e mbarsur me luftra, në një vend – udhekryq qytetërimesh dhe influencash të ndryshme, i ka reflektuar ato edhe në kuadrin fetar.

Prania e dy besimeve kryesore : krishtërimit dhe myslimanizmit, dëshmon më së miri rrjedhën e ngjarjeve, dinamizmin dhe metamorfozën e fesë në vendin tonë. Ushtrimi i fesë, si një udhëtim shpirtëror, ka qenë i pandarë nga prania e objekteve të kultit, ku besimtarët shprehnin në mënyrë të plotë besimin e tyre.

Ky proces ka qenë ngushtësisht i lidhur edhe me ndryshimet politike që kanë ndodhur në historinë e vendit; periudhat e lirisë fetare janë shoqëruar, herë pas here, me periudha “të errëta” ku ndalimi i saj ishte i rreptë.

Vendosja e diktaturës komuniste do të sillte një qasje ekstreme në raport me fenë dhe besimin. Reforma agrare e gushtit 1945, shtetëzon krejt 2169 objektet e kultit, kishat, xhamitë e teqetë e vendit, duke i kthyer në qendra kulture për rininë.

Në vitin 1967, nga radhët e rinisë, nisi shembja e objekteve të kultit, duke lënë në këmbë vetëm ato me vlerë historike, dhe Shqipëria shpallet zyrtarisht shteti i parë ateist në botë. Që prej atij çasti ushtrimi i fesë do të ndalohet me ligj.

Pas rrëzimit të regjimit komunist rifilloi jeta kulturore-fetare. Udhëheqësit fetarë të besimeve tradicionale, që ishin me ndikim dhe që kishin vuajtur nëpër burgjet e komunizmit për qëndrimet tyre fetare gjatë kësaj kohe, rifilluan punën në ligjërimin e besimit të tyre, në ringjalljen e objekteve fetare, rindërtimin e tyre si dhe ndërtimin e objekteve të reja fetare në qendrat e banuara me mungesë të tyre.

Sot, në zbatim të së drejtës kushtetuese për lirinë e besimit fetar, në Republikën e Shqipërisë paraqitet një kuadër i larmishëm fetar, i cili pashmangshmërisht shoqërohet me një numër të konsiderueshëm objektesh kulti, ku besimtarët mund të praktikojnë besimin e tyre dhe ku kleri mund të përmbushë më së miri misionin e tij. Shpesh këto vende adhurimi, janë të panjohura nga shteti dhe nga vetë bashkësitë fetare, dhe evidencimi i tyre gjeografikisht dhe i gjendjes fizike e përdoruese, bëhet i domosdoshëm. Këto objekte, përveç vlerës shpirtërore–fetare që kanë, janë pasuri kombëtare sepse pasqyrojnë traditën shqiptare.

Për këtë qëllim, si edhe për t’i paraprirë ndonjë fenomeni të keqpërdorimit të tyre, Komiteti Shtetëror për Kultet zbaton në formë projekti, procesin e evidencimit të objekteve të kultit, në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Ky projekt bëhet i nevojshëm në kuadrin e njohjes territoriale të vendit, të pasurive kulturore të tij, për shpalosjen e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe të traditës shqiptare, si një mjet që çon edhe në ruajtjen dhe konservimin e tyre.

SHPJEGIME MBI PROJEKTIN

Qëllimi:
Identifikimi dhe evidencimi i objekteve të kultit është një domosdoshmëri për ngritjen e shkallës së njohjes territoritoriale  të vendit, vlerësimin dhe promovimin në nivel kombëtar e ndërkombëtar  të pasurisë shpirtërore, fetare dhe trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, përshpëjtimin e procesit të kthimit të pronave Bashkësive Fetare, vlerësimin e gjendjes së objekteve të konsideruara “Monumente Kulture”, konsolidimin e sigurisë kombëtare në kushtet e strategjisë kundër ekstremizmit të dhunshëm. Kjo iniciativë e ndërmarrë nga Komiteti Shtetëror për Kultet, do të përbëjë një kontribut të vlefshëm për të plotësuar kuadrin fetar në vend dhe për të forcuar më tëj marrëdhëniet Shtet–fe.

Nëpërmjet mbledhjes së të dhënave nga ky proces angazhues, u synua krijimi i një Databaze të plotë dhe të detajuar mbi pozicionin gjeografik (shoqëruar me koordinatat përkatëse) të objekteve të kultit, fotografi dhe informacione mbi to, të paraqitura në një “Hartë dixhitale”, lehtësisht të konsultueshme nga institucionet shtetërore, bashkësitë fetare dhe  publiku i gjerë.

Realizimi:
Ky projekt u realizua në sajë të bashkëpunimit mes KSHK dhe bashkësive fetare, nëpërmjet evidencimit “in situ” të objekteve dhe mbledhjes së materialit fotografik dhe/apo historik, kulturor, të gjendjes dhe destinacionit përdorues, gjendjes aktuale të pronësisë së tyre (atje ku ka qenë e mundur), etj.

Për realizimin me sukses të këtij projekti morën pjesë kryetarja dhe anëtarët e KSHK, të cilët, krahas angazhimeve të tjera institucionale, nuk kursyen kohën dhe energjitë e tyre në këtë projekt. Sigurisht, projekti u ideua duke patur parasysh mbështetjen dhe aprovimin nga ana e Bashkësive Fetare, prandaj edhe realizimi i sukseshëm i tij, u bë në sajë të bashkëpunimit të ngushtë me to.

MËNYRA DHE MJETET E REALIZIMIT

Evidentimi i objekteve në terren u realizua nëpërmjet grupeve të punës, secili i përbërë nga të paktën dy persona, të cilët ndoqën iteinerare të përcaktuara paraprakisht (sipas vështirësisë së terrenit). Grupet e punës vepruan në bashkëpunim të ngushtë me Bashkësitë Fetare, duke u munduar të kenë, në çdo rast, asistencën e personelit fetar.

Grupet e punës në terren u pajisën me aparat fotografik dhe smartphone, për të realizuar materialin e duhur fotografik dhe evidencuar koordinatat gjeografike të objekteve të kultit.

Grupet e punës kanë mbledhur këto të dhëna:

  • Llojin e objektit të kultit, përfshirë këtu cilit komunitet fetar i përket, shoqëruar me ndarjet territoriale përkatëse
  • Koordinatat gjeografike të objekteve të kultit.
  • Pamje ballore, anësore, ku ka mundësi edhe nga lart të tyre.
  • Pamje të brendshme (kur ka qenë e mundshme).
  • Të dhëna historike mbi objektet (ku është e mundshmë), që lidhen me datën e ngritjes së tyre, me ndryshimet që mund të kenë pësuar në kohë, nëse gëzon statusin e “Monumentit të Kulturës”, duke shfrytëzuar edhe bisedat me personelin fetar dhe vendasit.
  • Të dhëna mbi përdorimin në të kaluarën dhe të tashmen, përfshirë këtu personelin fetar që kryen (apo jo) ritualet.
  • Përshkrim të shkurtër mbi gjendje aktuale të pronësisë (nëse është e mundur).

PËRPUNIM I TË DHËNAVE DHE REZULTATI

Të dhënat e mbledhura janë hedhur në një databazë, të ndarë sipas qarqeve/zonave/ndarjeve territoriale. Këto të dhëna do të shfrytëzoheshin në përpunimin përfundimtar të hartës dixhitale.

Në fund të vitit 2020 u realizua përpunimi i të dhënave të disponueshme dhe krijimi i Hartës Dixhitale, e cila vihet në dispozicion të institucioneve shtetërore, bashkësive fetare dhe publikut, në këtë website.

Në Hartën Dixhitale mund të bëhen kërkime nga më të ndryshmet, duke përfshirë kërkimin e objekteve që janë shpallur Monumente Kulture.